KOSTT reagon për nënstacionin mobil: S’ka dëm financiar, dallimi në vlerësim do të shqyrtohet
KOSTT SH.A. ka reaguar lidhur me raportimet e fundit në media për projektin e furnizimit me nënstacion mobil 110/35/10(20) kV, duke sqaruar nevojën për këtë investim, procedurat e ndjekura dhe dallimin ndërmjet vlerësimit fillestar dhe vlerës së parashikuar për prokurim. Në njoftimin e saj, KOSTT bën të ditur se nevoja për këtë investim ka lindur…
Lajme
KOSTT SH.A. ka reaguar lidhur me raportimet e fundit në media për projektin e furnizimit me nënstacion mobil 110/35/10(20) kV, duke sqaruar nevojën për këtë investim, procedurat e ndjekura dhe dallimin ndërmjet vlerësimit fillestar dhe vlerës së parashikuar për prokurim.
Në njoftimin e saj, KOSTT bën të ditur se nevoja për këtë investim ka lindur si pasojë e sfidave operative dhe situatave emergjente me të cilat është përballur gjatë sezonit dimëror.
Sipas kompanisë, nënstacioni mobil do të mundësojë reagim më të shpejtë në rast të avarive, rritje të fleksibilitetit operacional dhe forcim të sigurisë së furnizimit me energji elektrike.
KOSTT sqaron se projekti fillimisht ishte paraqitur në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), mbi bazën e të dhënave të përgjithshme teknike dhe një vlerësimi fillestar orientues, për shkak të urgjencës dhe afateve të aplikimit.
Ndërkaq, pas shqyrtimit të projektit, ishte formuar një komision profesional, i cili kishte analizuar më në hollësi nevojat e sistemit dhe kishte hartuar specifikimet e detajuara teknike, duke përfshirë pajisjet kryesore, sistemet e mbrojtjes, kontrollit dhe matjes, si dhe kërkesat për transportim dhe integrim të nënstacionit.
Lidhur me dallimin ndërmjet vlerësimit fillestar dhe vlerës së parashikuar për prokurim, KOSTT thotë se kjo ndërlidhet me përfshirjen e kërkesave teknike dhe pajisjeve që nuk ishin vlerësuar plotësisht në fazën fillestare.
Megjithatë, kompania thekson se nuk është konstatuar ndonjë dëm financiar, por se dallimi i evidentuar kërkon shqyrtim të brendshëm për identifikimin e shkaqeve dhe përgjegjësive eventuale.
KOSTT gjithashtu ka bërë të ditur se procedura e prokurimit është ende e hapur dhe se vlera e parashikuar nuk përbën çmimin përfundimtar të kontratës, pasi ai do të përcaktohet përmes konkurrencës dhe procedurave të prokurimit publik.
Në fund, KOSTT ka ritheksuar përkushtimin për transparencë, konkurrencë të drejtë dhe menaxhim të përgjegjshëm të mjeteve financiare, duke vënë në prioritet sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Kosovës. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: