Kurti pas takimit me HANDIKOS-in: Dinjiteti dhe mundësitë e barabarta duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes institucionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e HANDIKOS-it, me të cilët ka diskutuar për sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe nevojën për mbështetje institucionale. Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për nevojën e gjetjes së zgjidhjeve konkrete për…

Lajme

04/11/2026 23:59

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e HANDIKOS-it, me të cilët ka diskutuar për sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe nevojën për mbështetje institucionale.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për nevojën e gjetjes së zgjidhjeve konkrete për këtë kategori të shoqërisë, transmeton lajmi.net.

“Dinjiteti dhe mundësitë e barabarta duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes institucionale”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ligjit gjithëpërfshirës, i cili, sipas tij, duhet të adresojë në mënyrë të plotë nevojat dhe kërkesat e personave me aftësi të kufizuara.

Kurti ka theksuar se ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat dhe shoqatat përkatëse.

“Si Qeveri angazhohemi maksimalisht për adresimin e këtyre kërkesave dhe përmirësimin e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara”, ka deklaruar Kurti./lajmi.net/