Gjashtë vjet nga arrestimi i krerëve të UÇK-së, OVL-UÇK nesër organizon aktivitet simbolik para Zyrës së BE-së në Prishtinë
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka njoftuar se me rastin e përvjetorit të arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nesër do të organizohet një aktivitet simbolik në Prishtinë. Syla ka bërë të ditur se aktiviteti do të mbahet në orën 12:00, para Zyrës së Bashkimit Evropian…
Lajme
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka njoftuar se me rastin e përvjetorit të arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nesër do të organizohet një aktivitet simbolik në Prishtinë.
Syla ka bërë të ditur se aktiviteti do të mbahet në orën 12:00, para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku përfaqësuesit e tri organizatave të dala nga lufta do të përcjellin mesazhe publike për të shprehur pakënaqësinë ndaj procesit gjyqësor në Hagë dhe solidaritetin me ish-krerët e UÇK-së.
Ai ka njoftuar gjithashtu se u është drejtuar Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) me kërkesën që kryetarët e komunave, së bashku me administratat komunale, të dalin para objekteve të komunave në të njëjtën orë, për të shprehur solidaritetin.
Sipas Sylës, ky aktivitet synon të dëshmojë se qytetarët dhe organizatat e dala nga lufta nuk janë indiferentë ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Ai ka theksuar se solidariteti me ish-krerët e UÇK-së dhe kërkesa për një gjykim të drejtë janë çështje që lidhen me kujtesën historike dhe besimin e qytetarëve në drejtësi. /Lajmi.net/