Dyshime për funksionimin e një klinike private brenda oborrit të Spitalit të Gjilanit, kontrata me “Jetimat e Ballkanit” nuk bëhet publike
Një klinikë private, “Pinea Medical Clinic”, dyshohet se po ushtron veprimtarinë brenda kompleksit të Spitalit të Përgjithshëm Rajonal të Gjilanit, në një objekt që fillimisht ishte dhënë për qëllime humanitare për organizatën “Jetimat e Ballkanit”. Lidhur me këtë çështje, mbeten të paqarta baza juridike e shfrytëzimit të objektit, destinimi fillestar i tij dhe marrëdhënia kontraktuale…
Lajme
Një klinikë private, “Pinea Medical Clinic”, dyshohet se po ushtron veprimtarinë brenda kompleksit të Spitalit të Përgjithshëm Rajonal të Gjilanit, në një objekt që fillimisht ishte dhënë për qëllime humanitare për organizatën “Jetimat e Ballkanit”.
Lidhur me këtë çështje, mbeten të paqarta baza juridike e shfrytëzimit të objektit, destinimi fillestar i tij dhe marrëdhënia kontraktuale mes organizatës dhe klinikës private.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm Rajonal të Gjilanit, Afrim Cana, ka konfirmuar se brenda rrethojave të kompleksit spitalor gjendet një objekt ku funksionon klinika private. Ai ka bërë të ditur se objekti është ndërtuar para se të merrte drejtimin e spitalit.
Sipas informacioneve të siguruara nga lajmi.net, objekti fillimisht i ishte dhënë në shfrytëzim organizatës “Jetimat e Ballkanit”, për qëllime humanitare. Megjithatë, në të tashmë funksionon edhe “Pinea Medical Clinic”, e cila ofron shërbime shëndetësore private.
Nga ana tjetër, një përfaqësues drejtues i klinikës, në një përgjigje telefonike për Lajmi.net, ka mohuar se objekti ndodhet brenda oborrit të spitalit. Sipas tij, hapësira e klinikës është e ndarë me rrethoja nga pjesa tjetër e kompleksit spitalor.
Ai ka konfirmuar se Pinea Medical ka kontratë me organizatën “Jetimat e Ballkanit”, por ka refuzuar ta bëjë publike atë, duke thënë se nuk mund të japin detaje nga marrëveshja. Po ashtu, ka deklaruar se klinika do të marrë masa nëse vërtetohet se ka pasur veprime të jashtëligjshme.
lajmi.net i është drejtuar edhe organizatës “Jetimat e Ballkanit”, për të marrë sqarime lidhur me kontratën, destinimin fillestar të objektit dhe autorizimin për ushtrimin e veprimtarisë private shëndetësore, por deri në publikimin e këtij raportimi nuk ka marrë përgjigje.
Përgjigje nuk ka kthyer as Komuna e Gjilanit, së cilës i janë kërkuar dokumentet për pronësinë dhe kontratën përkatëse.
Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se licencimi i institucioneve private shëndetësore rregullohet me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2025 për kushtet dhe procedurat e ushtrimit të veprimtarisë shëndetësore në institucionet private.
Çështja ngre pikëpyetje edhe për respektimin e Ligjit për Pronën Publike, i cili përcakton se ndryshimi i destinimit të pronës së dhënë me qira kërkon pëlqim të ri nga institucioni kompetent.
Sipas nenit 5 të këtij ligji, administrimi i pronës publike duhet të bëhet në përputhje me parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe përgjegjësisë.
Lajmi.net ka siguruar gjithashtu informacione nga burime se kjo çështje është duke u hetuar, për shkak të përfshirjes së disa palëve, përfshirë edhe Komunën e Gjilanit.
Deri në sqarimin e plotë të dokumentacionit dhe marrëdhënieve kontraktuale mes palëve, mbetet e paqartë se mbi çfarë baze është mundësuar funksionimi i klinikës private në këtë hapësirë. /Lajmi.net/
Video: