“Ata s’kanë mu kanë aty, a po?”, “Kanë mu kanë, kanë mu kanë”- Biseda tronditëse e Arlinda Zekajt me policin para vrasjes

Një bisedë tronditëse mes Arlinda Zekajt dhe një zyrtari policor zbulon momentet kur ajo kërkonte të dinte nëse duhej të kthehej në shtëpi. Përgjigjja e policit ishte pohuese, ndonëse ai ia konfirmonte se personat për të cilët ajo pyeste do të ndodheshin aty. Kjo bisedë, e zhvilluar para vrasjes së saj, u publikua të martën…

Lajme

03/11/2026 21:38

Një bisedë tronditëse mes Arlinda Zekajt dhe një zyrtari policor zbulon momentet kur ajo kërkonte të dinte nëse duhej të kthehej në shtëpi.

Përgjigjja e policit ishte pohuese, ndonëse ai ia konfirmonte se personat për të cilët ajo pyeste do të ndodheshin aty.

Kjo bisedë, e zhvilluar para vrasjes së saj, u publikua të martën përmes një audioincizimi të transmetuar nga avokati Besnik Berisha.

Në incizim dëgjohet Arlinda duke kërkuar sqarime për trajtimin e rastit të saj nga Policia dhe Prokuroria.

“Nuk e di a të tregoi polici hetues?”, e pyet polici.

“Jo, kurgjo nuk më tregoi”, përgjigjet Arlinda.

Më pas, polici jep një shpjegim që ngre pyetje serioze për mënyrën se si po trajtoheshin shqetësimet e saj.

“Polici hetues, prokurorja e rastit, kujdestare, munësh me i kallxu edhe avokatës tane. Për momentin thotë, kanë me u mar nesër, me u shiqu kamerat e sigurisë. Për momentin nuk është rast. Por, është shënim zyrtar ky është si me thanë një gjysëm-rast. Duhet me u verifiku kamerat e sigurisë.”

“Përçka kamerat e sigurisë?”, pyet Arlinda.

“Kamerat e shpisë”, përgjigjet polici.

Në këtë pjesë të bisedës, polici flet për verifikimin e kamerave, ndërsa çështjen e përshkruan si një lloj “gjysëm-rasti”.

Por pjesa më tronditëse vjen kur Arlinda kërkon të mësojë nëse duhet të kthehet në shtëpi.

“Unë a duhet mu kthy në shpi, cka thotë prokurorja?”, pyet ajo.

“Po, po normal”, përgjigjet polici.

Përgjigjja e tij nuk ia largon shqetësimin. Ajo kërkon të sigurohet nëse personat e tjerë do të jenë ende në shtëpi.

“Okej, ata s’kanë mu kanë aty, a po?”, pyet Arlinda.

“Kanë mu kanë, kanë mu kanë”, ia kthen polici.

Polici i thoshte se duhej të kthehej, ndërkohë që ia konfirmonte se personat për të cilët ajo pyeste do të ishin aty.