Gjykata ia ndalon Policisë t’ua marrë patentë shoferët pa bazë ligjore

Gjykata Administrative e Kosovës ka konstatuar se Policia e Kosovës nuk mund ta shtyjë fillimin e ekzekutimit të masës mbrojtëse për ndalimin e drejtimit të automjetit, nëse një veprim i tillë nuk ka bazë ligjore. Në një vendim të datës 30 tetor 2026, në çështjen administrative Ap.nr.337/26, Gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë e një qytetari…

Lajme

30/10/2026 18:58

Gjykata Administrative e Kosovës ka konstatuar se Policia e Kosovës nuk mund ta shtyjë fillimin e ekzekutimit të masës mbrojtëse për ndalimin e drejtimit të automjetit, nëse një veprim i tillë nuk ka bazë ligjore.

Në një vendim të datës 30 tetor 2026, në çështjen administrative Ap.nr.337/26, Gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë e një qytetari me inicialet L.G. kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Policisë së Kosovës dhe Komisionit për Vendosje.

Sipas vendimit, Policia i kishte shqiptuar paditësit masën mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj, por kishte caktuar që ekzekutimi i saj të fillonte më 6 shkurt 2026, pas përfundimit të një mase të mëparshme, e cila kishte qenë në fuqi nga 7 gushti 2025 deri më 6 shkurt 2026.

Gjykata ka vlerësuar se një llogaritje e tillë është në kundërshtim me nenin 251, paragrafin 1, të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili përcakton se kohëzgjatja e masës mbrojtëse për ndalimin e drejtimit të automjetit llogaritet nga data e shqiptimit të saj.

Po ashtu, Gjykata ka theksuar se dyfishimi i masës mbrojtëse dhe fillimi i ekzekutimit të saj në një periudhë të mëvonshme mund të bëhen vetëm në rastet dhe sipas mënyrës së përcaktuar shprehimisht me ligj.