Nga Ahmet Isufi deri tek Gazmend Hoxha, zyrtarët që dhanë dorëheqje për arsye morale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë sot dorëheqje morale nga kjo pozitë, një zhvillim që vjen pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt. Dorëheqja e tij rikthen në vëmendje rastet e tjera kur zyrtarë të lartë në Kosovë kanë vendosur të largohen nga pozitat e tyre, duke marrë përgjegjësi morale për…

Lajme

30/10/2026 22:42

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë sot dorëheqje morale nga kjo pozitë, një zhvillim që vjen pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.

Dorëheqja e tij rikthen në vëmendje rastet e tjera kur zyrtarë të lartë në Kosovë kanë vendosur të largohen nga pozitat e tyre, duke marrë përgjegjësi morale për ngjarje tragjike apo zhvillime që kanë nxitur reagime publike, transmeton lajmi.net.

Në vitin 2005, dorëheqje në shenjë të përgjegjësisë morale kishte dhënë Ahmet Isufi, atëkohë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Më 8 mars 2005, pas dorëheqjes së kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj, i cili ishte larguar nga detyra pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali i Hagës, Isufi vendosi të largohej nga Qeveria në shenjë solidarizimi me të.

Isufi kishte deklaruar se nuk pajtohej me largimin e Haradinajt dhe se ishte i bindur në pafajësinë e tij. Ai e kishte cilësuar vendimin si akt të përgjegjësisë morale, duke thënë se kur dëmtohet institucioni, duhet të ndihet edhe përgjegjësia morale.

Një nga rastet më të hershme është edhe ai i Fatmir Rexhepit, i cili më 12 shkurt 2007 dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, pas vdekjes së dy protestuesve, Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, gjatë protestës së 10 shkurtit në Prishtinë.

Rexhepi e kishte konsideruar dorëheqjen si akt të përgjegjësisë morale ndaj qytetarëve dhe familjeve të viktimave, pas përleshjeve mes protestuesve dhe policisë.

Në vitin 2012, dorëheqje nga pozitat e ministrit të Drejtësisë dhe zëvendëskryeministrit kishte dhënë Hajredin Kuçi. Ai ishte zotuar se do të largohej nëse miratoheshin dispozitat e Kodit të ri Penal që ishin kundërshtuar nga mediat, pasi konsideroheshin të dëmshme për lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Ky rast lidhej me përgjegjësinë politike dhe qëndrimin e tij ndaj ndryshimeve ligjore.

Një tjetër dorëheqje në emër të përgjegjësisë morale ishte ajo e Xhelal Sveçlës, në vitin 2016, kur ishte drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës. Ai u largua nga kjo pozitë pas vdekjes së dy fëmijëve në një gropë të mbushur me ujë në kryeqytet.

Sveçla kishte deklaruar se, për shkak të kësaj ngjarjeje tragjike, ndiente përgjegjësi morale për të ofruar dorëheqjen.

Në vitin 2022, pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, dorëheqje dha drejtori i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Ai u largua pas reagimeve të shumta publike lidhur me rastin, duke e lidhur vendimin me përgjegjësinë personale dhe profesionale.

Në të njëjtin rast, dorëheqje nga pozita e drejtorit të Departamentit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës kishte dhënë edhe Ali Gashi. Ai e kishte arsyetuar vendimin me faktin se njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares kishte qenë më herët i trajtuar në institucionin që ai kishte udhëhequr.

Dorëheqje në tetor 2022 kishte dhënë edhe Rifat Latifi, Ministër i Shëndetësisë . Ai dha dorëheqjen pas kritikave të shumta për menaxhimin dhe gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Ndërkaq, në vitin 2025, dorëheqje ofroi edhe Argjend Gashi, komandant i Stacionit Policor në Lipjan, pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, pas një ndërhyrjeje policore.

Gashi kishte ofruar dorëheqje në shenjë të përgjegjësisë morale, pas rastit që shkaktoi reagime të shumta dhe çoi në arrestimin e pesë zyrtarëve policorë të dyshuar për përfshirje në ngjarje.

Këto raste janë ndër shembujt e dorëheqjeve morale të zyrtarëve publikë në Kosovë, të cilët kanë zgjedhur të largohen nga pozitat e tyre pas ngjarjeve me pasoja të rënda ose zhvillimeve që kanë ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë institucionale./Lajmi.net/

Jep dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovë Gazmend Hoxha, pas ngjarjes tragjike të Arlinda Zekaj

Kush është Fehmi Hoti, tani ushtrues detyre i drejtorit të Policisë së Kosovës?