Vitia hap konkursin për 313 specializime: Për herë të parë financohen edhe 20 vende për Mjekësi Familjare
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik për gjithsej 313 vende. Përmes një postimi në Facebook, Vitia ka bërë të ditur se ky është konkursi i katërt për specializim që hapet brenda më pak se katër vjetësh, transmeton lajmi.net. “ Sapo kam nënshkruar vendimin…
Lajme
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik për gjithsej 313 vende.
Përmes një postimi në Facebook, Vitia ka bërë të ditur se ky është konkursi i katërt për specializim që hapet brenda më pak se katër vjetësh, transmeton lajmi.net.
“ Sapo kam nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik për 313 vende”, ka shkruar ministri.
Ai ka bërë të ditur se në këtë konkurs prioritet u është dhënë lëmive deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale.
Një prej risive të këtij konkursi është financimi për herë të parë i 20 vendeve për Mjekësi Familjare nga Ministria e Shëndetësisë.
“Prioritet u kemi dhënë lëmive deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale. Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë do të financojë edhe 20 vende për Mjekësinë Familjare”, ka njoftuar Vitia.
Ministri ka bërë të ditur se ndryshime do të ketë edhe në procesin e vlerësimit të kandidatëve, pasi poentimi do të realizohet përmes një sistemi digjital.
Sipas tij, kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në mënyrë elektronike, ndërsa sistemi do t’i përllogarisë pikët në bazë të kritereve të konkursit.
“Risi e këtij konkursi është poentimi përmes sistemit digjital. Kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në formë elektronike dhe sistemi do t’i përllogarisë pikët sipas kritereve të konkursit. Pas verifikimit nga Bordi, secili kandidat do të ketë qasje në pikët e veta”, ka deklaruar ai.
Krahas konkursit për institucionet publike, Vitia ka paralajmëruar edhe hapjen e një konkursi tjetër për shkollim specialistik, i cili do të jetë në funksion të nevojave të institucioneve shëndetësore private.
“Së shpejti do të shpallim edhe një konkurs të ri për shkollim specialistik për nevojat e institucioneve shëndetësore private”, ka bërë të ditur ministri.
Në fund, Vitia u ka uruar sukses të gjithë kandidatëve që do të aplikojnë në këtë konkurs, duke theksuar se synimi është krijimi i më shumë mundësive për mjekët dhe rritja e transparencës në proces./lajmi.net/