Emërimi i Valbona Disha-Haxhosajt si u.d. e Kryeprokurores në Pejë – Shkëlqim Pajazitaj kërkon llogari: Pse po promovohet prokurorja që dështoi në rastin e motrës sime?

Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i 24-vjeçares së vrarë Donjeta Pajazitaj, ka shpërthyer në një reagim të ashpër publik kundër sistemit të drejtësisë, pas vendimit për ta caktuar prokuroren Valbona Disha-Haxhosaj si Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurores në Prokurorinë Themelore të Pejës. Pajazitaj ka shprehur revoltën dhe pakënaqësinë e tij të thellë, duke vënë në pikëpyetje mënyrën…

Lajme

29/10/2026 20:32

Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i 24-vjeçares së vrarë Donjeta Pajazitaj, ka shpërthyer në një reagim të ashpër publik kundër sistemit të drejtësisë, pas vendimit për ta caktuar prokuroren Valbona Disha-Haxhosaj si Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurores në Prokurorinë Themelore të Pejës.

Pajazitaj ka shprehur revoltën dhe pakënaqësinë e tij të thellë, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si prokurorët që udhëhoqën hetime të dështuara po shpërblehen me pozita udhëheqëse, ndërkohë që rasti i motrës së tij vazhdon të mbetet pa asnjë autor prapa grilave edhe pas 11 vjetësh pritjeje, transmeton lajmi.net.

“Në vend që të bëhet thirrje për drejtësi, ky vendim po e thellon edhe më shumë mosbesimin tim ndaj sistemit të drejtësisë!”, ka deklaruar Shkëlqim Pajazitaj.

Në reagimin e tij, ai i ka bërë thirrje institucioneve përkatëse për llogaridhënie, transparencë dhe sqarime publike, duke kërkuar të dijë se kush mban përgjegjësi për kalvarin e gjatë dhe dështimin e drejtësisë.

“Kush do të japë përgjigje për këto vite pritjeje? Kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti i Donjetës?”, ka pyetur ai me ngulm, duke insistuar se familja ka të drejtë të plotë ta dijë të vërtetën.

Ndryshimet në krye të Prokurorisë së Pejës erdhën si rrjedhojë e një tjetër skandali që tronditi vendin. Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj u suspendua nga detyra pas vrasjes tragjike të Arlinda Sylaj Zekajt më 25 tetor 2026 në Vitomiricë, e cila u godit për vdekje me sopatë brenda shtëpisë së saj.

Tragjedia shpërfaqi dështime të rënda mbrojtëse: viktima kishte lëshuar alarm tre ditë para vrasjes, ndërsa më 23 tetor zyrtari policor Qëndrim Sheremeti u kishte dërguar e-mail zyrtar eprorëve policorë (Faruk Muqolli, Faik Jahmurataj, Dervish Haxhijaj, Arlinda Gacaferi, Armend Qorraj, Merlinda Shala) duke kërkuar patrullim ditor të uniformuar te shtëpia e Arlindës. Injorimi i këtij alarmi çoi në suspendimin e 11 zyrtarëve policorë dhe më pas edhe të vetë kryeprokurores Vuçetaj.

Pikërisht në vend të Vuçetajt u emërua prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, hapi ky që ndezi reagimin e familjes Pajazitaj.

Disha-Haxhosaj kishte ngritur aktakuzë më 8 qershor 2017 ndaj Naser Pajazitajt për vrasjen e Donjetës. Pas një maratone shumëvjeçare gjyqësore me dënime deri me burgim të përjetshëm, në prill të vitit 2023 Gjykata Supreme e liroi përfundimisht të akuzuarin për mungesë provash. Vendimi e mbylli çështjen ndaj tij, por e la familjen Pajazitaj pa drejtësi – një plagë që u ringjall sërish sot me ngritjen në detyrë të prokurores së rastit./lajmi.net/