“Si ndihesh pas vrasjes së Arlinda Zekajt?”, togeri Faruk Muçolli refuzon të përgjigjet: Nuk kam të drejtë të prononcohem

Togeri i Policisë së Kosovës në Pejë, Faruk Muçolli, ka refuzuar të prononcohet për media lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra pasi kishte kërkuar ndihmë nga policia. Incizimet e publikuara së fundmi në media kanë zbuluar komunikimin e drejtpërdrejtë mes Zekajt dhe togerit Muçolli, disa ditë para vrasjes së saj, raporton…

Lajme

29/10/2026 12:36

Togeri i Policisë së Kosovës në Pejë, Faruk Muçolli, ka refuzuar të prononcohet për media lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra pasi kishte kërkuar ndihmë nga policia.

Incizimet e publikuara së fundmi në media kanë zbuluar komunikimin e drejtpërdrejtë mes Zekajt dhe togerit Muçolli, disa ditë para vrasjes së saj, raporton lajmi.net

Sipas transkriptit të publikuar në emisionin “MAT”, Arlinda Zekaj ishte drejtuar në polici për të kërkuar zbatimin e urdhrit për mbrojtje ndaj ish-bashkëshortit të saj. Gjatë bisedës me zyrtarin policor, ajo kishte shprehur shqetësimin për gjendjen e djalit të saj dhe kishte kërkuar zbatimin e aktvendimit.

Në përgjigjet e tij, sipas transkriptit, polici i kishte thënë se nuk ishte i obliguar të merrej me të.

Gazetarja e RTV Dukagjinit e ka pyetur togerin Muçolli se si ndihet pas vdekjes së Arlinda Zekajt dhe lidhur me komunikimin e tij me të, kur ajo kishte kërkuar ndihmë nga Policia në Pejë.

Muçolli ka refuzuar të flasë për këtë çështje, duke thënë se nuk ka kohë dhe as të drejtë të prononcohet për media.

“E nderuar, dëgjo. Jam shumë i nxënë me punë dhe definitivisht nuk e kam as kohën e as pozicionin për t’u prononcuar për media. Mund të drejtoheni te zyra e mediave. Po të njoftoj se je duke më penguar dhe nuk kam të drejtë të prononcohem unë lidhur me këtë çështje. A mundesh me më kuptu shumë mirë? Nuk kam të drejtë të prononcohem”, tha Muçolli për RTV Dukagjinin./Lajmi.net/