Vrasja e Arlindës, Drenusha Latifi kritikon Edona Llalloshin për heshtje: Kur ti kërkove mbrojtje, institucionet vepruan dhe bashkëshorti yt u arrestua
Drenusha Latifi i ka reaguar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llalloshi, duke e kritikuar për mungesën e reagimit lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Përmes një postimi, Latifi ka bërë krahasim mes përvojës së Llalloshit, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, dhe rastit të Arlinda Zekajt, e cila, pavarësisht kërkesave për mbrojtje,…
ShowBiz
Drenusha Latifi i ka reaguar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llalloshi, duke e kritikuar për mungesën e reagimit lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Përmes një postimi, Latifi ka bërë krahasim mes përvojës së Llalloshit, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, dhe rastit të Arlinda Zekajt, e cila, pavarësisht kërkesave për mbrojtje, u vra më 25 tetor, transmeton lajmi.net.
“Edona Llalloshi, për vete mbrojtje, për Arlindën heshtje!”, ka shkruar Latifi.
Ajo i është drejtuar deputetes edhe për pozitën që mban në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, duke vënë në pikëpyetje rolin e saj në adresimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
“Kur ti kërkove mbrojtje, institucionet vepruan dhe bashkëshorti yt u arrestua disa herë. Arlinda kërkoi mbrojtje, por përfundoi e vrarë”, ka shkruar Latifi.
Më tej, ajo e ka pyetur Llalloshin se çfarë vlere ka pozita e saj në këtë komision nëse zëri i saj nuk dëgjohet kur gratë vriten.
“Ti je anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore. Çfarë vlere ka kjo pozitë nëse zëri yt nuk dëgjohet kur gratë vriten?”, thuhet në reagimin e saj.
Latifi ka theksuar se pozitat politike duhet të shoqërohen me përgjegjësi, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e grave që përballen me dhunë.
“Pushteti nuk është privilegj për veten, por përgjegjësi për t’i mbrojtur ato që nuk kanë zë”, ka shkruar ajo.
Në fund të postimit, Latifi ka kritikuar edhe mënyrën se si funksionon Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar atë si një hapësirë të shndërruar në sfilatë.
“Parlamentin e keni bo sfilat, defilim pos une ne vakt Missllakun tem e kom majt kshtu ani ju Pharlamentin A je tu e qalldis najkah…..!?”, ka përfunduar ajo.
Reagimi i Latifit vjen në kohën kur vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për llogaridhënie institucionale lidhur me mënyrën se si u trajtuan kërkesat e saj për mbrojtje./lajmi.net/