Sveçla takohet me zyrtarin e lartë të BE-së, në fokus migrimi dhe siguria kufitare

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në takim Olivier Onidi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme (DG HOME) të Komisionit Evropian dhe Koordinator për Zonën Schengen. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe DG HOME, progresin e Republikës së…

Lajme

28/10/2026 20:03

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në takim Olivier Onidi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme (DG HOME) të Komisionit Evropian dhe Koordinator për Zonën Schengen.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe DG HOME, progresin e Republikës së Kosovës në kuadër të agjendës së integrimit evropian, si dhe avancimin e reformave në fushën e migrimit, menaxhimit të kufirit, azilit dhe sigurisë.

Ministri Sveçla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të DG HOME në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e fillimit të zbatimit të projekteve të reja në kuadër të IPA-s, pas miratimit të marrëveshjeve përkatëse financiare nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Në vijim, Ministri prezantoi progresin në finalizimin e Strategjisë së re për Migrim dhe Planit të Veprimit, Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar (2026-2030), projektligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror, si dhe masat e ndërmarra për zbatimin efektiv të Ligjit për të Huajt. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe liberalizimit të vizave, ku u theksua funksionimi i mekanizmave të monitorimit dhe rënia e vazhdueshme e numrit të aplikimeve për azil nga qytetarët e Kosovës në shtetet e BE-së.

Ministri Sveçla riafirmoi përkushtimin për zbatimin e reformave dhe rekomandimeve të BE-së, si dhe thellimin e bashkëpunimit me DG HOME dhe agjencitë e saj, në funksion të forcimit të sigurisë, menaxhimit efektiv të migrimit dhe avancimit të Republikës së Kosovës në procesin e integrimit evropian.