Gusia: Zbatimi i Programit për Barazi Gjinore 2020-2024 arriti në 83%, po finalizohet programi i ri

Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, ka bërë të ditur se zbatimi i aktiviteteve të parapara në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 ka arritur në 83 për qind. “Shkalla e zbatimit të aktiviteteve ishte 83%. Shtylla e parë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, aktivitetet ishin realizuar në nivel prej 81%.…

Lajme

28/10/2026 10:56

Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, ka bërë të ditur se zbatimi i aktiviteteve të parapara në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 ka arritur në 83 për qind.

“Shkalla e zbatimit të aktiviteteve ishte 83%. Shtylla e parë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, aktivitetet ishin realizuar në nivel prej 81%. Shtylla e dytë, zhvillimi njerëzor, rolet dhe marrëdhëniet gjinore, aktivitetet ishin realizuar në nivel prej 97%, ndërsa shtylla e tretë, e cila ka të bëjë me gratë, paqen dhe sigurinë, dhe qasjen në drejtësi, në përgjithësi të viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, kishte një nivel të zbatimit të aktiviteteve prej 61%”, ka thënë Gusia.

Gusia ka njoftuar se Agjencia është në fazën e finalizimit të Programit të ri të Kosovës për Barazi Gjinore për periudhën 2025-2035, i cili do të përfshijë tri plane të veprimit.

“Vetëm këtë vit i kemi pasur nëntë tryeza, janë gati 330 pjesëmarrës nga institucionet e Republikës së Kosovës, shoqëria civile, partnerët tanë ndërkombëtarë. Kemi zhvilluar një analizë të situatës për këtë program, e cila është një analizë diku rreth 170 faqe. Kemi një plan të veprimit, i cili aktualisht është në vlerësim dhe përkthim dhe besojmë që shumë shpejt do ta plasojmë për diskutim publik”, ka deklaruar Gusia.