Nis inspektimi për rastin e Arlinda Zekajt, gjykata do të shqyrtojë vendimet e marra

Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhiaj, ka konfirmuar se ka nisur procesi i inspektimit lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Në një deklarim, Haxhiaj ka bërë të ditur se procesi ka për qëllim shqyrtimin e lëndëve përkatëse civile dhe penale, përfshirë veprimet…

Lajme

27/10/2026 15:30

Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhiaj, ka konfirmuar se ka nisur procesi i inspektimit lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Në një deklarim, Haxhiaj ka bërë të ditur se procesi ka për qëllim shqyrtimin e lëndëve përkatëse civile dhe penale, përfshirë veprimet e ndërmarra nga gjykata në rastin e Zekajt.

Ai ka sqaruar për klankosova, se kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës e ka autorizuar drejtorin e inspektimit, së bashku me dy inspektorë, që të shqyrtojnë lëndët përkatëse.

Sipas Haxhiajt, pas përfundimit të shqyrtimit, inspektorët do të hartojnë një raport të detajuar lidhur me veprimet e ndërmarra nga gjykata.

I pyetur se si e vlerëson vendimin e gjyqtarit në këtë rast, Haxhiaj ka thënë se gjykata nuk i komenton vendimet gjyqësore, por ka konfirmuar se tashmë janë ndërmarrë veprime për shqyrtimin e lëndës.

Ai ka shtuar se gjykata nuk ka dashur të dalë me një komunikatë zyrtare pa u konfirmuar fillimisht informacionet nga inspektorët që kanë marrë lëndët në shqyrtim.

Rasti ka nxitur reagime, pasi Arlinda Zekaj dhe personi që dyshohet se e kishte kërcënuar ishin urdhëruar të jetonin nën të njëjtin kulm, me një distancë prej dy metrash. /Lajmi.net/