Kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit në rastin e mbi gjysmë ton marihuanë në Maqitevë

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, të arrestuar nën dyshimin për përfshirje në kultivimin dhe përpunimin e narkotikëve në fshatin Maqitevë të Suharekës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të dyshuarit, me inicialet M.A. dhe B.A., janë arrestuar pas hetimeve të vazhdueshme lidhur me rastin e zbulimit të…

Lajme

27/10/2026 11:02

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, të arrestuar nën dyshimin për përfshirje në kultivimin dhe përpunimin e narkotikëve në fshatin Maqitevë të Suharekës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të dyshuarit, me inicialet M.A. dhe B.A., janë arrestuar pas hetimeve të vazhdueshme lidhur me rastin e zbulimit të mbi gjysmë ton marihuanë në një shtallë në zonën malore të Maqitevës, raporton lajmi.net

Aksioni fillestar ishte zhvilluar më 16 shtator 2025, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku përveç substancës narkotike ishin sekuestruar edhe armë dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për kultivimin dhe përpunimin e narkotikëve.

Gjatë aksionit, autoritetet kishin sekuestruar një granatëhedhës, një raketë krahu, një pushkë gjuetie, fishekë, një traktor me rimorkio, pajisje kompjuterike dhe prova të tjera materiale.

Po ashtu, Prokuroria kishte lëshuar urdhër të përkohshëm për sekuestrimin ose ngrirjen e dy parcelave në këtë fshat, me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë.

Dyshohen për kultivim dhe shpërndarje të narkotikëve:

Sipas kërkesës së Prokurorisë, M.A. dhe B.A. dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje me personin me inicialet F.N., me qëllim të kultivimit të kanabisit dhe përgatitjes së narkotikëve për shitje dhe shpërndarje në treg.

Ata dyshohen për veprat penale të kultivimit të bimëve të kanabisit, si dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Përveç këtyre veprave, të dyshuarit përballen edhe me dyshime për armëmbajtje të paautorizuar.

Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit të shtëpisë së M.A., më 26 tetor 2026, është sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike me shtatë fishekë. Ndërkaq, gjatë kontrollit të shtëpisë së B.A., në shtator të vitit 2025, ishte sekuestruar një pushkë gjuetie njëtytëshe.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kriminalitetit dhe vënien para drejtësisë të personave që dyshohen për shkelje të ligjit.

Për të dyshuarit vlen parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./Lajmi.net/