Komisioni për Siguri miraton në parim Projektligjin për AME-në, deputetët kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar në parim Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), me të cilin synohet krijimi i një kuadri ligjor për funksionimin e kësaj agjencie. Kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se qëllimi kryesor i projektligjit është krijimi i një kuadri ligjor për AME-në, duke propozuar miratimin…
Lajme
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar në parim Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), me të cilin synohet krijimi i një kuadri ligjor për funksionimin e kësaj agjencie.
Kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se qëllimi kryesor i projektligjit është krijimi i një kuadri ligjor për AME-në, duke propozuar miratimin e tij në lexim të parë.
“Qëllimi kryesor i projektligji është krijimi i një kuadri ligjor për AME. Sot e kemi vetëm miratimin në parim. Propozoj qe ta miratojmë në lexim të parë”, tha ai.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u shpreh në favor të miratimit të projektligjit në parim, por kërkoi që ai të shqyrtohet me kujdes të veçantë, në mënyrë që të hartohet siç duhet.
“Konsideroj që në parim duhet të miratohet ky ligj dhe ti dërgohet seancës. Pres që ky projektligj të shqyrtohet me kujdes të veçantë dhe të mos ngutemi sepse është i domosdoshëm të jetë mire i hartuar”, tha ajo.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, theksoi rëndësinë e këtij projektligji për funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, duke bërë të ditur se ligji nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2014.
Ajo shtoi se, sipas praktikës së komisionit, të gjithë anëtarët mund të kontribuojnë në hartimin e tij.
“Si praktikë e komisionit ka qenë që të gjithë anëtaret mund të marrim pjesë në punim. Përgjegjësi ky ligji për ame është një ligj me rëndësi jetike, që nga viti 2014 nuk ka pasur ndryshime. Besoj se do të jenë në të mirë të funksionimit të agjencisë”, tha Selimi.