Vrasja e Arlinda Zekajt- thirret protestë kombëtare për të mërkurën

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për revoltë kombëtare për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Protesta është paralajmëruar të mbahet të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ku protestuesit pritet të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial…

Lajme

26/10/2026 13:46

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për revoltë kombëtare për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Protesta është paralajmëruar të mbahet të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ku protestuesit pritet të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës.

Postimi i plotë:

Kjo javë është thirrja e fundit për revoltë kombëtare për ta mbrojtur jetën e grave në Kosovë. Duhet t’i lëmë shtëpitë, punët, klasat e mësimit për t’i mbushur sheshet e dyert e institucioneve që po shpërfillin totalisht jetën dhe sigurinë e grave cep më cep Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë një normalitet të sforcuar kur gratë po dhunohen, rrahen e edhe vriten para syve tanë.

Vrasja me sopatë e një gruaje prej kunatit mbrëmë është alarmi për luftën që iu është shpallur grave. Sikurse rastet tjera të femicidit, kjo vrasje ishte paralajmëruar nga e ndjera, e cila e kishte lutur për ndihmë një shtet që është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave. Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësim të shtetit i cili nuk iu beson grave, i përbuz, i neglizhon ato dhe vazhdon t’i shoh parësisht si prona të burrave.

Na është treguar vazhdimisht që ky shtet nuk është edhe shtet për gratë. Na është treguar po ashtu që kjo shoqëri i urren dhe i dhunon gratë deri t’ua merr frymën e fundit. Ne e kemi mësuar këtë përgjakshëm. E kemi mësuar dhunshëm se ne luftën tonë duhet ta bëjmë në disa fronte, si kundrejt shoqërisë patriarkale, ashtu edhe ndaj patriarkisë shtetërore që po na mban nën frikë, terror e dhunë, e disa prej nesh edhe po ua merr jetën me sakicë, plumb a grushta.

Andaj, të mërkurën, të ejten, të premten e ditët në vijim, ne do dalim rrugëve, e do bllokojmë institucione sepse është momenti i fundit që ky shtet të jap llogari. Nisemi prej sheshit Zahiri, te Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e deri te Qeveria.

Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara. Na u bashkoni!.