Ligji për Specialen rikthehet në Kuvend, deputetët me qëndrime të ndryshme për hapat e radhës
Kryetarja e Kuvendit ka paralajmëruar se nga e hëna do të nisë puna për Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili është kthyer në Kuvend nga presidentja dhe fillimisht i është referuar Komisionit për Legjislacion. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, tha se Komisioni për Legjislacion do të mblidhet për ta trajtuar ligjin pasi ai…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit ka paralajmëruar se nga e hëna do të nisë puna për Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili është kthyer në Kuvend nga presidentja dhe fillimisht i është referuar Komisionit për Legjislacion.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, tha se Komisioni për Legjislacion do të mblidhet për ta trajtuar ligjin pasi ai t’i dërgohet, duke theksuar se synimi është që të miratohet një ligj që adreson çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara.
Ajo përmendi edhe raportet e Avokatit të Popullit për shkelje të pretenduara në Dhomat e Specializuara, si dhe nevojën që Kosova të vazhdojë përpjekjet për trajtimin e tyre.
“Ju i dini procedurat, meqë ligji është kthyer tashmë i takon kuvendit qe të marrin masa në harmoni të plotë me rregulloren e kuvendit. Ne komision nuk është se ka ardhur diçka, ne nuk kemi ftuar mbledhje të komisionit qe i referohet ligjit. Komisioni për legjislacion do të mblidhet sa të kemi ligjin dhe ta trajtojmë ndryshimin. Përpjekjet janë që të kemi një ligj të mirë që hyn në funksion të çështjes, tashmë ka edhe raporte jo vetëm të avokatit të popullit për shkelje serioze në dhoma, dhe Kosova që ka marrë barrën e votimit që të trajtoj shkeljet serioze. E kemi dhe apelin dhe tashmë do të jetë një betejë por meqë ka edhe një grup strategjik do të jenë të gjitha forcat. Vullneti është të keni një ligj qe të hy në funksion që Kosova të del fitimtare në këtë proces”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e konsideroi kthimin e ligjit si një mundësi të humbur dhe gabim serioz, duke vlerësuar se vonesat po ndikojnë në veprimet e shtetit. Ai tha se prioritet duhet të jetë mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sa i përket temës së ligjit për Aleancën është e thjeshtë, ne e kemi parë e e shohim edhe sot që është një mundësi e humbur, një gabim serioz të cilin tashmë e paguajmë me shtyrjen e afateve në mos veprimin shtetëror. Mbrojtja e katër çlirimtarëve është puna që duhet bërë çdo gjë tjetër nuk e mbështesim”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se kthimi i ligjit nga presidentja paraqet refuzim të zbatimit të tij dhe se proceduralisht ekzistojnë dy mundësi: rikthimi i të njëjtit ligj pa ndryshime ose nisja e një nisme të re ligjore.
Rrustemi bëri të ditur se Kryesia e Kuvendit do ta diskutojë çështjen, duke shprehur shpresën që sponsorizuesi i ligjit të ndërmarrë sa më shpejt veprimet e nevojshme.
“Rikthimi i një ligji të miratuar nga kuvendi nga ana e presidentes është refuzim për zbatimin e tij dhe proceduralisht janë vetëm dy opsione ose rikthehet i njëjti ligj pa asnjë ndryshim dhe pastaj hyn në fuqi përkundër vullnetin të presidentes ose duhet të niset si nismë e re ligjore. Sot kryesia e kuvendit ka mbledhje dhe do diskutoj. Megjithatë uroj qe sponzorizuesi sa me parë të merr veprimet. Arsyetimi që është dhënë është i përgjithshëm, por duket që ka qenë kërkesë e vet sponzorizuesit. Do deputetë jemi të gatshëm për të dhënë kontributin, nuk ka shumë hapësirë në trajtimin si plotësim ndryshim, nuk është mesi i procedurës, presidentja e ka rikthyer”, tha Rrustemi.