Haxhiu: Të enjten seancë plenare, votohet për Byronë dhe Buxhetin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se të enjten në orën 10:00, do të mbahet seanca plenare ku do të shqyrtohen Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe projektligji për ndarjet buxhetore. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se pret që projektligji për Byronë…

Lajme

26/10/2026 12:12

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se të enjten në orën 10:00, do të mbahet seanca plenare ku do të shqyrtohen Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe projektligji për ndarjet buxhetore.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se pret që projektligji për Byronë të miratohet, duke theksuar se kjo nismë ka nisur para shumë vitesh, por ende nuk është finalizuar dhe zbatuar në praktikë.

“Mbledhjet e kryesisë së Kuvendit i kemi bërë të rregullta, çdo të hënë në orën 11:00, dhe çdo të enjte në orën 10:00 do të mbahen seancat plenare. Pra, sa herë do të kemi çështje për të trajtuar si Kuvendi i Republikës së Kosovës, natyrisht që do t’i trajtojmë ato pa vonesa. Edhe në kryesinë e Kuvendit, por po ashtu edhe në seancën e Kuvendit. Dhe kur jemi këtu, kryesia e Kuvendit vendosi që të enjten, pra këtë të enjtë, në orën 10:00, të mblidhet Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën plenare, për të trajtuar tema të cilat janë shumë të rëndësishme. E para, edhe projektligji mbi ndarjet buxhetore, por po ashtu edhe projektligji shumë i rëndësishëm për Byronë, pra për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Një nismë që ka nisur para shumë viteve, por fatkeqësisht ende nuk ka arritur që të finalizohet dhe që të jetësohet, prandaj unë uroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë projektligj do ta miratojë dhe pastaj do t’i hapet rrugë zbatimit të tij, së pari jetësimit e pastaj zbatimit të qëllimit të këtij ligji në praktikë”, tha Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Kuvendi do t’i trajtojë pa vonesa projektligjet që procedohen nga Qeveria, si dhe do të shqyrtojë nisma të reja parlamentare.

“Është e rëndësishme që Kuvendi i Republikës së Kosovës, pa vonesa, t’i trajtojë projektligjet që na vijnë nga qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe të ketë nisma të reja nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Siç e dini, qeveria në axhendën legjislative ka paraparë 200 projektligje që do t’i procedojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, prandaj sa herë ato të procedohen në Kuvendin e Kosovës, do të trajtohen pa vonesa dhe me prioritet”, tha ajo.