Drejtësia që si ndihmoi Arlinda Zekajn: Qeveria Kurti e kishte shpërblyer me pozitë kyçe prokuroren që dështoi të mbroj gruan që u vra dje
Prokurorja Suada Rama-Hamza që dështoi ta mbronte Arlinda Zekaj, e cila u vra mbrëmë nga kunati i saj, ka rol kyç në vlerësimin e juristëve të rinj në Provimin e Jurisprudencës. Suada Rama-Hamza është edhe zëvendësanëtare e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, i cili është caktuar nga Qeveria Kurti dhe është votuar në…
Lajme
Prokurorja Suada Rama-Hamza që dështoi ta mbronte Arlinda Zekaj, e cila u vra mbrëmë nga kunati i saj, ka rol kyç në vlerësimin e juristëve të rinj në Provimin e Jurisprudencës.
Suada Rama-Hamza është edhe zëvendësanëtare e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, i cili është caktuar nga Qeveria Kurti dhe është votuar në Kuvend më 27 prill 2026.
Ajo është zëvendësanëtare pyetëse për lëndën “E Drejta Kushtetuese dhe Bazat e Sistemit Gjyqësor”, ku anëtare është Anita Prenaj-Krasniqi.
Përbërja e re e komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës ishte caktuar nga Qeveria Kurti dhe më pas ishte votuar në Kuvend.
Ndonëse kjo përbërja ishte kundërshtuar nga opozita, me 63 vota për, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte miratuar përbërjen e re të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, në bazë të propozimit të Ministrisë së Drejtësisë.
Në atë seancë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Kuvendit, kishte theksuar se ky vendim është rezultat i një vlerësimi të thelluar institucional të procesit të deritanishëm të organizimit të provimit, i cili ka evidentuar nevojën për ndërhyrje dhe përmirësim të standardeve profesionale dhe procedurale.
“Bazuar në kompetencat ligjore dhe përgjegjësinë për mbikëqyrjen e këtij procesi, Ministria e Drejtësisë ka analizuar tërë procesin dhe ka bërë një vlerësim gjithëpërfshirës për tre afatet e mbajtura nga Komisioni aktual për dhënien e Provimit të Jurisprudencës”, kishte deklaruar Ministrja Gërvalla.