Presidentja kërkon hetim urgjent për vrasjen e Arlinda Zekajt: Të sqarohet nëse janë marrë masat për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula ka reaguar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ajo është shprehur e tronditur ndërsa ka kërkuar që rrethanat e kësaj vrasje të kërkojnë hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm. “Kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes…

Lajme

26/10/2026 09:48

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula ka reaguar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Ajo është shprehur e tronditur ndërsa ka kërkuar që rrethanat e kësaj vrasje të kërkojnë hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm.

“Kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte. Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj. Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, ka shkruar Shiroka-Pula.

Ajo i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që çdo rrethanë e këtij rasti të hetohet dhe drejtësia të vihet në vend.

“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe të gjithë të afërmve të saj. Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”, thuhet në komunikatën e Justina Shiroka Pulës. /Lajmi.net/