Kurti: Sot po betohen 515 ushtarë të rinj të Kosovës, gjenerata më e madh që kemi pasur ndonjëherë- UÇK-ja mbetet simbol i vendit tonë

Kryeministri Albin Kurti me të arritur nga Tivati i Malit të Zi është bashkuar me zyrtarët e tjerë shtetërore dhe familjarë të shumtë në ceremoninë e betimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, të gjeneratës 02/2026. Ai tha se në vendin që mban emrin e kryekomandantit “Adem Jashari” sot u mblodhën për të shënuar një…

Lajme

23/10/2026 15:41

Kryeministri Albin Kurti me të arritur nga Tivati i Malit të Zi është bashkuar me zyrtarët e tjerë shtetërore dhe familjarë të shumtë në ceremoninë e betimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, të gjeneratës 02/2026.

Ai tha se në vendin që mban emrin e kryekomandantit “Adem Jashari” sot u mblodhën për të shënuar një ditë të veçantë për Kosovën.

“Sot po betohen 515 ushtarë të rinj të Kosovës, njëherit gjenerata më e madh që kemi pasur ndonjëherë. 515 qytetarë të Republikës që zgjodhën t’i shërbejnë atdheut, 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe paqes.Të dashur ushtarë, rrugëtimin tuaj e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj se liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumtë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja për vendin tonë”,deklaroi Kurti, shkruan lajmi.net.

Ai tha se ”UÇK-ja ishte dhe mbetet simbol i vendit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë. Flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit na obligon që të ruajmë të vërtetën historike, të nderojmë luftën e drejtë çlirimtare e të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë”,shtoi ai.

“Flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare dhe të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë. Nga malet e Drenicës, te kullat e Dukagjinit, nga Drini i Bardhë te Ibri e Sitnica, nga Llapi e Gollaku te Anamorava e Karadaku, nga lartësitë e Sharrit te minierat e Trepçës e te majat e bjeshkëve të Rugovës, çdo krahinë e rajon, qytet e fshat, kodër e luginë ruajnë kujtimet e rezistencës dhe kryengritjes, të përpjekjeve për liri e dashuri për atdheun. Në këtë tokë, liria është histori familjesh, sakrificë brezash dhe përgjegjësi që trashëgohet.Të nderuar të pranishëm, Ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit. Zhvillimi i saj është obligim i yni për të ndërtuar institucione me mundësi dhe aftësi, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe ligjor. Për këtë arsye, rritja e forcimi i ushtrisë ka qenë dhe mbetet një prioritet i qeverisë sonë”, ka thënë ndër të tjera ai.

“Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri. Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e forcës sonë dhe duke arritur më shumë se dyfishimin e saj në numër. Përveç kësaj, kemi edhe një gjeneratë tjetër që do të fillojë këtë vit trajnimin, dhe së bashku me ta, ne po i mbërrijmë kapacitetet ushtarake që ishin paraparë të arriheshin në vitin 2028. Pra, kemi përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave tona strategjike.Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro. Mbështetjen ajrore e kemi me dronët Bayraktar dhe Skyguard, ndërsa nga toka kemi mbi 40 lloje të armatimit të rëndë e të lehtë, modern e sipas standardeve të NATO-s. Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë: T’i dalim zot atdheut e ushtria jonë të bëhet pjesë e NATO-s. Në misionet ndërkombëtare që kemi realizuar dhe po i realizojmë, me pjesëmarrje në Defender 21, 23 e 25, ushtria jonë sot është kontribuese e paqes dhe sigurisë në botë. Gjithashtu kemi avancuar në industrinë e mbrojtjes; deri në fund të këtij viti do të fillojmë edhe prodhimin e municionit në fabrikën që po e ngrisim në Gjakovë, 100% vendore, dhe po e përkrahim sektorin privat që duan të prodhojnë produkte ushtarake”, tha Kurti./Lajmi.net/