Gruda: Ligji për Specialen nuk ka asnjë gabim, qëndroj prapa çdo shkronje të tij

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se qëndron plotësisht prapa projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke këmbëngulur se ai është hartuar me kujdes dhe pas konsultimeve të nevojshme. Përmes një postimi, Gruda ka thënë se ligji nuk përmban asnjë gabim dhe se është krenar për punën…

Lajme

22/10/2026 19:57

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se qëndron plotësisht prapa projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke këmbëngulur se ai është hartuar me kujdes dhe pas konsultimeve të nevojshme.

Përmes një postimi, Gruda ka thënë se ligji nuk përmban asnjë gabim dhe se është krenar për punën e bërë bashkë me ekipin që ka marrë pjesë në hartimin e tij, transmeton lajmi.net.

“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet”, ka shkruar Gruda.

Ai ka theksuar se do të vazhdojë ta mbështesë ligjin, duke nënvizuar se është i vetëdijshëm për punën dhe përgjegjësinë që ka kërkuar hartimi i tij.

“Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

Gruda ka thënë se do të kishte preferuar që debati të përqendrohej te zbatimi i ligjit dhe jo te rihapja e diskutimeve për të. Megjithatë, në rast se Kuvendi e rishqyrton atë, ai ka kërkuar që procesi të zhvillohet mbi argumente juridike dhe me përgjegjësi.

“Nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”, ka shkruar ai.

Në fund, Gruda ka ritheksuar se nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i tij, duke thënë se qëllimi i ligjit është të kontribuojë në një drejtësi të pavarur që, sipas tij, mbron luftën çlirimtare të Kosovës.

“Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj”, ka përfunduar Gruda.

Postimi i plotë:

Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet.

Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij.

Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij.

Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj.

Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim./lajmi.net/