Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Fikrim Damkës, dyshohet për përfitim të paligjshëm prej 1 milion eurosh

Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj zëvendëskryeministrit Fikrim Damka dhe Besim Kamberajt, ushtrues i detyrës së sekretarit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Vendimi vjen shtatë muaj pasi Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë aktakuzën, duke vlerësuar se nuk ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e procedurës penale…

Lajme

21/10/2026 15:47

Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj zëvendëskryeministrit Fikrim Damka dhe Besim Kamberajt, ushtrues i detyrës së sekretarit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Vendimi vjen shtatë muaj pasi Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë aktakuzën, duke vlerësuar se nuk ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e procedurës penale në mungesë të provave.

Sipas vendimit të Apelit, aktvendimi i shkallës së parë ishte nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale. Kolegji gjykues ka konstatuar shkelje esenciale të përcaktuara në nenin 384 të Kodit të Procedurës Penale.

Prokuroria Speciale i akuzon Damkën dhe Kamberajn se, gjatë viteve 2021-2022, ua mundësuan në mënyrë të kundërligjshme përfitimin e një milion eurove organizatave “Caritas Zviceran” dhe “Germin”.

Në atë periudhë, Damka ushtronte detyrën e ministrit të Zhvillimit Rajonal, ndërsa Kamberaj ishte ushtrues detyre i sekretarit të kësaj ministrie.

Me vendimin e fundit, Apeli ka konfirmuar aktakuzën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare ndaj të dy të akuzuarve, duke hapur rrugën për vazhdimin e procedurës penale.

Aktualisht në Qeverinë “Kurti 4”, Damka është zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim.

Sqarim: Konfirmimi i aktakuzës nuk nënkupton shpalljen fajtor të të akuzuarve. /Lajmi.net/