Rama paralajmëron subvencionimin e 50% të qirasë për studentët që plotësojnë kushtet

Qeveria e Shqipërisë do të mbulojë 50 për qind të kostos së qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi me drejtuesit e bankave, ku ka folur për draftligjin e ri për strehimin social dhe të përballueshëm. Sipas Ramës, nisma synon të…

Lajme

21/10/2026 12:54

Qeveria e Shqipërisë do të mbulojë 50 për qind të kostos së qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi me drejtuesit e bankave, ku ka folur për draftligjin e ri për strehimin social dhe të përballueshëm.

Sipas Ramës, nisma synon të lehtësojë barrën financiare të studentëve, veçanërisht në Tiranë, ku rritja e çmimeve të qirave po e vështirëson gjithnjë e më shumë sigurimin e banimit.

Ai ka thënë se draftligji është hartuar për t’iu përgjigjur kësaj problematike, duke krijuar një qasje të re për mbështetjen e studentëve që nuk kanë mundësi t’i përballojnë vetë shpenzimet e banimit.

“Qeveria do të futet për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet që janë të lidhura me kriteret”, ka deklaruar Rama.

Krahas mbështetjes për studentët, kryeministri ka bërë të ditur se draftligji parasheh edhe masa të tjera për strehimin, përfshirë kredi me interes zero për çiftet e reja që synojnë të blejnë një apartament, deri në një vlerë të caktuar.

Mbështetje përmes kredive me interes zero parashihet edhe për profesionistët e rinj.

Deklaratat e Ramës janë raportuar nga A2, transmeton lajmi.net.