Bill dhe Hillary Clinton shprehin ngushëllime për vdekjen e Osman Osmanit: Ishte miku dhe fqinji ynë që nga viti 1999

Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e njërit nga themeluesit e lobit shqiptar në Amerikë, Osman Osmani. Çifti Clinton e ka kujtuar Osmanin nëpërmjet një letre, si fqinjin e tyre që nga viti 1999. “Zemrat tona janë pranë të gjithë atyre…

Lajme

21/10/2026 12:33

Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e njërit nga themeluesit e lobit shqiptar në Amerikë, Osman Osmani.

Çifti Clinton e ka kujtuar Osmanin nëpërmjet një letre, si fqinjin e tyre që nga viti 1999.

“Zemrat tona janë pranë të gjithë atyre që janë mbledhur sot për të nderuar jetën e mikut dhe fqinjit tonë të dashur, Osman Osmani. Ne e takuam Osmanin dhe familjen e tij në vitin 1999, jashtë shtëpisë së tij në Chappaqua, Nju Jork, përballë shtëpisë që sapo kishim blerë. Zemra e tij e mirë dhe shpirti i tij bujar u dëshmuan që në takimin tonë të parë, kur ai na prezantoi me një familje refugjatësh nga Kosova, e cila po qëndronte në shtëpinë e tij”, thuhet në letrën e Clintonëve.

Bill dhe Hillary Clinton,  kanë shprehur mirënjohje për miqësinë, mikpritjen dhe humorin e Osmanit.

“Osmani ishte një njeri i mrekullueshëm dhe ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për miqësinë, mikpritjen dhe humorin e tij të mirë. Mendimet dhe lutjet tona janë me fëmijët e Osmanit, me gjithë familjen e tij, me miqtë e shumtë dhe me të gjithë ata që patën fatin dhe bekimin ta njihnin”, thuhet në letrën e ngushëllimit.