MASH vazhdon mbështetjen për 54 qendra mësimore që ndihmojnë mbi 2,600 fëmijë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndarë 370 mijë euro për 10 organizata joqeveritare që menaxhojnë 54 qendra mësimore për fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Mbështetja për vitin shkollor 2026/2027 është rritur për 120 mijë euro krahasuar me vitin paraprak. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar kontratat me 10 organizata joqeveritare përfituese…

Lajme

21/10/2026 10:58

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndarë 370 mijë euro për 10 organizata joqeveritare që menaxhojnë 54 qendra mësimore për fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Mbështetja për vitin shkollor 2026/2027 është rritur për 120 mijë euro krahasuar me vitin paraprak.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar kontratat me 10 organizata joqeveritare përfituese të mbështetjes financiare për vitin shkollor 2026/2027, me qëllim të vazhdimit të shërbimeve mbështetëse për mbi 2,600 fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Organizatat përfituese menaxhojnë gjithsej 54 qendra mësimore, të cilat ofrojnë mbështetje për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe sekretari i përgjithshëm i ministrisë, Naim Gashi.

Ministri Çeku i përgëzoi organizatat për punën e deritanishme dhe i inkurajoi që të vazhdojnë bashkëpunimin me institucionet për përmirësimin e rezultateve të të nxënit, rritjen e barazisë dhe përfshirjen më të madhe të fëmijëve nga këto komunitete në arsim.

Për vitin shkollor 2026/2027, MASH ka ndarë 370 mijë euro për 10 organizatat përfituese, krahasuar me 250 mijë euro sa ishin ndarë për vitin paraprak. Kjo paraqet një rritje prej 120 mijë eurosh në mbështetjen financiare për qendrat mësimore.

Sipas njoftimit të MASH-it, financimi është ndarë në kuadër të thirrjes publike për mbështetjen e projekteve të organizatave joqeveritare që promovojnë dhe mbështesin nxënësit romë, ashkalinj dhe egjiptianë në qendrat mësimore.

Kjo skemë financimi zbatohet që nga viti 2021 dhe synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet ministrisë dhe organizatave joqeveritare që ofrojnë shërbime mbështetëse për nxënësit.

Sipas ministrisë, vazhdimi dhe rritja e mbështetjes financiare synojnë avancimin e barazisë, përfshirjes dhe cilësisë në arsim, si dhe krijimin e kushteve më të mira për pjesëmarrjen dhe suksesin e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në sistemin arsimor.