Taulant Balla fton studentët në dialog me Ramën: Duhet të ulemi
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka bërë thirrje studentëve protestues që të ulen në dialog me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se janë krijuar kushtet për zhvillimin e një takimi. Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Balla u kërkoi protestuesve…
Lajme
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka bërë thirrje studentëve protestues që të ulen në dialog me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se janë krijuar kushtet për zhvillimin e një takimi.
Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Balla u kërkoi protestuesve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të zhvilluar bisedimet me qeverinë, raporton Euronews.al.
“Thirrja ime për të gjithë protestuesit është për dialog. Janë vendosur karriget, gjithçka është gati. Protestuesit duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, duhet të ulemi”, deklaroi Balla.
Ai u ndal edhe te situata gjatë protestave, duke theksuar se Partia Socialiste dënon aktet e dhunës. Balla, duke iu referuar përvojës së tij si ish-ministër i Brendshëm, paralajmëroi se goditja e punonjësve të policisë përbën vepër penale.
“Grupi i PS-së dënon dhunën. Unë kam qenë ministër i Brendshëm dhe mos prisni kurrë nga unë të nis nga policët. Ngritja e dorës ndaj policisë së shtetit është vepër penale”, u shpreh ai.
Në vijim, Balla bëri një krahasim mes protestave në Shqipëri dhe atyre në Francë, duke pretenduar se në Shqipëri një pjesë më e madhe e të lënduarve janë efektivë të policisë.
“E vetmja gjë nga dallojnë protestat tona, nëse në Francë 3 në 4 të lënduar janë protestues, në Shqipëri 2 në 3 janë policë”, deklaroi Balla.