​Ku mund të blihen fanellat zyrtare të Kosovës? Flet Agim Ademi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se së shpejti do të krijohen mundësi të reja për blerjen e fanellave zyrtare të Kombëtares së Kosovës, përfshirë hapjen e një hapësire shitjeje në ambientet e federatës. Duke folur për KosovaPress, Ademi ka thënë se FFK-ja ka përgatitur një hapësirë…

Sport

19/10/2026 15:11

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se së shpejti do të krijohen mundësi të reja për blerjen e fanellave zyrtare të Kombëtares së Kosovës, përfshirë hapjen e një hapësire shitjeje në ambientet e federatës.

Duke folur për KosovaPress, Ademi ka thënë se FFK-ja ka përgatitur një hapësirë ekspozimi dhe shitjeje, e cila është pothuajse e gatshme, ndërsa fanellat do të mund të blihen edhe përmes platformave online dhe dyqaneve fizike që janë përfaqësues zyrtarë të Adidasit.

“Meqë e kemi ndërruar, e kemi marrë Adidas-in, nuk kemi dashur ta qesim në shitje asnjë fanellë të re, sepse do t’i binte keq për njerëzit se po i shet këto që më nuk janë. Tashmë e dimë që Adidas – in do ta kemi për një kohë pak më të gjatë, sepse është brendi më i mirë në Evropë, mund të them edhe në botë, dhe krahas kësaj, do të ketë tani edhe vende ku mund ta blesh, edhe do ta kemi shou room-in në federatë, që pothuajse gati e kemi, edhe fizike edhe online, gjithsesi. Janë disa dyqane këtu që janë përfaqësues të Adidas – it, dhe ata e kanë ndresën e Kosovës, dyqanet të cilët janë përfaqësues të Adidasit, përfaqësues të rregullt, do të thotë po flas për origjinalin. Tani sigurisht që i gjen edhe nëpër treg, por unë i lus të gjithë ata të cilët merren me këtë punë dhe e mbrojnë brendin, që të kujdesen për këtë punë, që, ai i cili e blen, duhet ta blejë fanellën e shtetit të Kosovës, do të thotë atë zyrtare, origjinalin. Edhe pse, mund të them lirisht, që, pothuajse pas çdo ndeshje, secili futbollist, e jep fanellën, është arsye, pikërisht, për ata që nuk e kanë mundësinë ta blejnë një fanellë, sepse Adidas e ka edhe një çmim pak tjetër, pak më të shtrenjtë se të tjerët”, deklaroi Ademi.

Ademi ka bërë gjithashtu thirrje që qytetarët të kujdesen për blerjen e fanellave origjinale, duke paralajmëruar se ato gjenden edhe në tregun jozyrtar. Ai ka pranuar se çmimi i fanellave të Adidasit është më i lartë, ndërsa ka theksuar se futbollistët e Kosovës shpesh ua dhurojnë fanellat e tyre tifozëve pas ndeshjeve.