Moti për javën e ardhshme
Mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe intervale diellore do të mbajë gjatë javës së ardhshme në Kosovë, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës. Reshje shiu parashihen kryesisht të martën, ndërsa të enjten dhe të premten, në disa zona, vranësirat mund të shoqërohen me reshje të dobëta shiu. Temperaturat do të mbeten relativisht të buta për këtë…
Lajme
Mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe intervale diellore do të mbajë gjatë javës së ardhshme në Kosovë, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Reshje shiu parashihen kryesisht të martën, ndërsa të enjten dhe të premten, në disa zona, vranësirat mund të shoqërohen me reshje të dobëta shiu.
Temperaturat do të mbeten relativisht të buta për këtë periudhë të vitit, me luhatje të lehta nga dita në ditë. Era do të fryjë kryesisht nga drejtimet jugperëndimore dhe veriperëndimore, me shpejtësi të ulët deri mesatare.
E hënë, 19 tetor
Moti do të jetë i vranët, me intervale kohore me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1-4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 15-19 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga drejtimi i veriperëndimit, me shpejtësi 1–3 metra për sekondë, raporton KosovaPress.
E martë, 20 tetor
Moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje shiu në pjesë të ndryshme të vendit.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4-7 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 16-20 gradë Celsius. Era do të fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi 1–3 metra për sekondë.
E mërkurë, 21 tetor
Do të mbajë moti i vranët, me intervale të herëpashershme me diell.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3-6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 17-21 gradë Celsius. Era do të fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi 1–4 metra për sekondë.
E enjte, 22 tetor
Moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Në disa zona, vranësirat mund të sjellin reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4-7 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale nga 17-21 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi 1–6 metra për sekondë.
E premte, 23 tetor
Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të ndryshueshme. Gjatë ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat në disa zona do të krijojnë kushte për reshje shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4-9 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale nga 14-17 gradë Celsius. Era do të fryjë nga drejtimi i veriperëndimit, me shpejtësi 1–5 metra për sekondë.
Kushtet biometeorologjike gjatë kësaj periudhe pritet të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës.
Temperaturat relativisht të buta dhe intervalet me diell do të krijojnë kushte të përshtatshme për aktivitete në ambient të hapur.
Megjithatë, gjatë ditëve me vranësira dhe reshje shiu, lagështia e shtuar e ajrit mund të ndikojë në mirëqenien e personave të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit, veçanërisht te personat me sëmundje kronike reumatike dhe të frymëmarrjes.
Gjatë orëve të mëngjesit, temperaturat më të ulëta mund të shkaktojnë ndjesi freskie, prandaj rekomandohet veshje e përshtatshme për kushtet e motit.
Kushtet meteorologjike gjatë kësaj periudhe do të jenë përgjithësisht të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore sezonale.
Reshjet e shiut, aty ku do të paraqiten, mund të kontribuojnë në lagështimin e tokës dhe në plotësimin e nevojave për ujë të kulturave bujqësore. Megjithatë, në zonat ku reshjet do të jenë më të pakta, nevojat për ujë duhet të vlerësohen sipas gjendjes së lagështisë së tokës.
Temperaturat e mëngjesit, sidomos në zonat më të larta dhe në ultësira të caktuara, kërkojnë vëmendje ndaj kulturave të ndjeshme ndaj të ftohtit. Rekomandohet që punët bujqësore të planifikohen duke marrë parasysh reshjet e pritshme dhe gjendjen e tokës.