Policia identifikon 58-vjeçarin që dyshohet se shkaktoi aksidentin dhe u largua nga vendi i ngjarjes në Zveçan
Policia e Kosovës ka identifikuar automjetin dhe personin e dyshuar për shkaktimin e një aksidenti trafiku me dëme materiale, i cili kishte ndodhur më 13 tetor në rrugën “Mbreti Petar” në Zveçan. Sipas njoftimit të Policisë, aksidenti ishte raportuar pasi një automjet kishte goditur një automjet tjetër me targa vendore dhe më pas ishte larguar…
Lajme
Policia e Kosovës ka identifikuar automjetin dhe personin e dyshuar për shkaktimin e një aksidenti trafiku me dëme materiale, i cili kishte ndodhur më 13 tetor në rrugën “Mbreti Petar” në Zveçan.
Sipas njoftimit të Policisë, aksidenti ishte raportuar pasi një automjet kishte goditur një automjet tjetër me targa vendore dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas veprimeve operative në terren, më 15 tetor, njësitë patrulluese të Stacionit Policor në Zveçan kanë arritur ta identifikojnë automjetin e dyshuar, i cili ishte i parkuar në qytetin e Zveçanit. Automjeti është tërhequr dhe dërguar në stacionin policor.
Policia ka identifikuar gjithashtu personin e dyshuar dhe vendbanimin e tij. Bëhet fjalë për një 58-vjeçar me inicialet M.A., nga komuna e Leposaviqit, i cili është paraqitur në stacionin policor.
“Gjatë intervistimit ka pranuar se e kishte shkaktuar aksidentin dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar.
Në fund, Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që rastet e dyshimta t’i raportojnë në numrin 192, si dhe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik, veçanërisht gjatë ditëve në vijim, kur priten reshje shiu dhe kushte të vështirësuara për qarkullim. /Lajmi.net/