IKD kërkon ndryshime në Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, propozon prag prej 25 mijë eurosh dhe 61 vota për drejtuesit

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka prezantuar një hulumtim lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Shala ka deklaruar se me këtë raport kanë përgatitur edhe ndërhyrjen konkrete ligjore. Ai ka theksuar se qëllimi është që para miratimit përfundimtar të ligjit…

Lajme

15/10/2026 12:00

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka prezantuar një hulumtim lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Shala ka deklaruar se me këtë raport kanë përgatitur edhe ndërhyrjen konkrete ligjore.

Ai ka theksuar se qëllimi është që para miratimit përfundimtar të ligjit të adresohen problemet e mbetura dhe të mbyllen hapësirat kushtetuese, ligjore dhe ato të sigurisë juridike.

Një nga çështjet e ngritura nga IKD-ja lidhet me pavarësinë e Byrosë dhe mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve të saj.

Sipas Shalës, projektligji parasheh që drejtori i përgjithshëm dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të zgjidhen me shumicën e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.

“Për një institucion që do të merret me pasurinë e qytetarëve, privatësinë dhe të dhënat e tyre, kjo shumicë është e ulët. IKD propozon që këto pozita të zgjidhen së paku me 61 vota”, ka deklaruar Shala.

Një tjetër rekomandim ka të bëjë me specializimin e gjykatave që do të trajtojnë rastet e konfiskimit civil.

Shala ka thënë se projektligji parasheh krijimin e një divizioni të tillë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por jo edhe në Gjykatën e Apelit.

“Nëse këto raste janë aq të ndërlikuara sa kërkojnë gjyqtarë të specializuar në shkallën e parë, e njëjta logjikë duhet të vlejë edhe në shkallën e dytë. Për këtë arsye, propozojmë që një Divizion i tillë të krijohet edhe në Gjykatën e Apelit”, ka thënë ai.

IKD-ja ka ngritur shqetësime edhe për paqartësitë në përcaktimin e pasurisë që mund të verifikohet pas përfundimit të funksionit publik.

“Projektligji thotë se verifikimi mund të zgjerohet kur pasuria është “në masë të madhe më e lartë” se të hyrat e ligjshme. Por ligji nuk tregon çfarë do të thotë kjo. Sa është “në masë të madhe?”, ka pyetur Shala.

Për këtë çështje, IKD ka propozuar që të përcaktohet një prag i qartë prej 25 mijë eurosh, me qëllim që të shmangen interpretimet e ndryshme gjatë zbatimit të ligjit.

Sa i përket barrës së provës, Shala ka thënë se projektligji mund të krijojë rrezikun që qytetarët të detyrohen të arsyetojnë pasurinë e tyre vetëm pasi Byroja të paraqesë një propozim në gjykatë.

“IKD propozon që kjo të mos ndodhë automatikisht. Fillimisht, Gjykata duhet të kontrollojë nëse Byroja ka paraqitur prova dhe bazë të mjaftueshme. Vetëm pasi Gjykata ta konfirmojë këtë, se ka një bazë të mjaftueshme se çfarë duhet të verifikohet, barra e provës mund të kalojë te pala”, ka deklaruar ai.

Në hulumtim është trajtuar edhe çështja e kompensimit për personat të cilëve u bllokohet pasuria gjatë procedurave të verifikimit.

“Çështja e pestë është kompensimi i palëve. Një person mund ta ketë pasurinë e bllokuar për muaj ose vite dhe, në fund, Gjykata mund të vendosë se konfiskimi nuk ka bazë. Në një rast të tillë, nuk është e drejtë që kompensimi të varet vetëm nga fakti nëse pala arrin të provojë se institucioni ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme. Nëse procedura përfundon pa konfiskim dhe masa ka shkaktuar dëm, duhet të ketë një bazë të qartë për kompensim”, ka thënë Shala.

Rekomandimi i fundit lidhet me mbrojtjen e të drejtave të palëve të treta që mund të përfshihen në procedurën e verifikimit të pasurisë.

“Projektligji është përmirësuar në këtë pjesë, por ende nuk ua jep qartë të drejtën që ta kundërshtojnë në Gjykatë vendimin me të cilin futen në procedurën e verifikimit. IKD propozon që kjo e drejtë të përcaktohet qartë në ligj”, ka shtuar ai.

Në përfundim, ai ka theksuar se synimi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme duhet të shoqërohet me garanci të qarta ligjore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.