Lushaku-Sadriu alarmon për dhunën në Kosovë: Konfliktet po marrin jetë, shoqëria s’mund të heshtë
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka ngritur shqetësimin për rastet e rënda të dhunës në Kosovë, duke kërkuar reagim serioz institucional dhe shoqëror për parandalimin e tyre. Gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës, ajo ka thënë se vrasjet e fundit, tragjeditë në Gjilan dhe rastet e tjera të dhunës e kanë…
Lajme
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka ngritur shqetësimin për rastet e rënda të dhunës në Kosovë, duke kërkuar reagim serioz institucional dhe shoqëror për parandalimin e tyre.
Gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës, ajo ka thënë se vrasjet e fundit, tragjeditë në Gjilan dhe rastet e tjera të dhunës e kanë përballur shoqërinë me një realitet shqetësues, ku konfliktet dhe mosmarrëveshjet po përfundojnë me humbje jetësh.
Lushaku-Sadriu ka përmendur dhunën në familje, dhunën ndaj grave, kërcënimet dhe fyerjet, duke theksuar se dhuna nuk fillon domosdoshmërisht me përdorimin e armëve, por shpesh nis me fjalë, kërcënime dhe përpjekje për ta frikësuar apo nënshtruar tjetrin.
Ajo ka theksuar se gratë duhet të kenë siguri dhe mbrojtje para se të ndodhin tragjeditë, e jo vetëm pasi ato të bëhen viktima të dhunës.
“Gratë kanë nevojë për siguri sa janë gjallë, jo pasi të vriten”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Ajo ka tërhequr vëmendjen edhe te pasojat që dhuna ka te fëmijët, të cilët mund të rriten duke parë agresivitet dhe duke mësuar se konfliktet zgjidhen me forcë, e jo përmes dialogut.
“Fëmijët kanë nevojë për një shoqëri ku respektohet fjala, e jo ku sundon frika”, ka theksuar ajo.
Sipas Lushaku-Sadriut, normalizimi i fyerjeve, kërcënimeve dhe përdorimit të forcës është shenjë e një problemi më të thellë shoqëror, i cili kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve dhe qytetarëve.
Ajo ka bërë thirrje që respekti dhe toleranca të jenë vlera të përditshme në shoqëri, në mënyrë që gratë të jetojnë të sigurta dhe fëmijët të rriten në një mjedis pa frikë dhe agresivitet. /Lajmi.net/