Hoti për ligjin për vlerat e luftës çlirimtare: Kanë kaluar mbi 27 vjet dhe ende nuk kemi një ligj të tillë
Ministri i Familjes, Andin Hoti, ka thënë se Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare është jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se 27 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ende nuk ekziston një ligj i tillë. Këto komente Hoti i bëri në Kuvend, në përgjigje të deputetes…
Lajme
Ministri i Familjes, Andin Hoti, ka thënë se Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare është jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se 27 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ende nuk ekziston një ligj i tillë.
Këto komente Hoti i bëri në Kuvend, në përgjigje të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e cila e kritikoi afatin e paraparë për procedimin e këtij projektligji, më 30 gusht 2027, duke kërkuar që ai të sillet më herët në Kuvend.Hoti ka thënë se Qeveria do të punojë edhe gjatë muajit gusht dhe se nuk ka muaj pushimi, ndërsa ka kërkuar që procesi të mos shndërrohet në sulm politik.
“Pajtohem plotësisht me ju në një pikë të kësaj pyetje, ligji është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe e kemi diskutuar disa herë, për ne qeverinë nuk ka muaj të pushimit, ne do punojmë edhe në muaj gusht e çdo muaj tjetër kalendarik. Më lejoni të ju kujtoj një fakt, kanë kaluar më shumë se 27 vite e pesë muaj që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më shumë se 27 vite dhe ne ende nuk kemi një ligj të tillë dhe ju sot po kërkoni llogari prej meje pse e kam qitur në një afat prej 10 muajsh. Ju keni qenë deputetë që shumë mandate këtu, jam i bindur që e dini se sipas kushtetutës së republikës edhe deputetët kanë të drejtë në nismën legjislative, prandaj nuk dua të hy në diskutime. Mos e ktheni në sulm politik një proces që më në fund e kemi shumë seriozisht”, tha Hoti.
Ndërkaq, Kadrijaj ka kundërshtuar vlerësimin e ministrit se pyetja e saj kishte karakter politik, duke thënë se ajo vetëm kishte kërkuar sqarime për afatin e paraparë për këtë projektligj.
“Andin Ukshin Hoti, faleminderit për ligjëratën, nuk bëra politikë aspak, asnjë term i asaj që e thashë nuk pati politikë, përkundrazi ti bëre politikë. Mirë që ka ardhur në agjendë legjislative dhe në mënyrë hipotetike e thashë, përpos asaj që e kam luftë e kam ruajtur integritetin”, tha Kadrijaj.Kadrijaj ka theksuar se në programin e projektligjeve të Qeverisë për periudhën 2026-2028, Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare është paraparë të vijë në Kuvend më 30 gusht 2027, duke e cilësuar të paarsyeshme shtyrjen deri në atë kohë.“Në programin e projektligjeve të qeverisë për vitin 2026-2028 ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare është parapa të vij në kuvend me datë 30 gusht 2027, e sipas kalendarit gjithmonë muaji tetë është muaj pushimi. Është e paarsyeshme shtyerja deri në atë kohë, a do e sjellni më herët këtë ligj në kuvend, apo do e zvarritni?”, pyeti ajo.