“Nëse s’e heq postimin, kemi me u vra” – Përfaqësuesi i Mehmetajt kërkon hetim të plotë dhe mbrojtje

Avokati Labinot Vata, përfaqësues i gazetarit Lirim Mehmetaj, ka mirëpritur caktimin e paraburgimit ndaj Gani Gecit, me kërkesë të Prokurorisë, duke vlerësuar se ky vendim kontribuon në mbrojtjen e gazetarit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës. Në një prononcim për Lajmi.net, Vata ka shprehur shqetësimin për atë që e ka cilësuar si përpjekje për ta…

Lajme

14/10/2026 20:17

Avokati Labinot Vata, përfaqësues i gazetarit Lirim Mehmetaj, ka mirëpritur caktimin e paraburgimit ndaj Gani Gecit, me kërkesë të Prokurorisë, duke vlerësuar se ky vendim kontribuon në mbrojtjen e gazetarit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës.

Në një prononcim për Lajmi.net, Vata ka shprehur shqetësimin për atë që e ka cilësuar si përpjekje për ta detyruar gazetarin të heqë një postim përmes kanosjes.

“Caktimi i paraburgimit ndaj Gani Gecit, me kërkesë të Prokurorisë, është një vendim që, si përfaqësues i Lirim Mehmetajt, e vlerësojmë në funksion të mbrojtjes së gazetarit dhe zhvillimit të papenguar të procedurës”, tha ai.

Sipas avokatit, Gani Geci doli me tone kërcënues: “Nëse s’e heq postimin, kemi me u vra”, për të cilin Vata ka thënë se duhet të trajtohet me seriozitet nga organet e drejtësisë, për shkak të rrezikut të mundshëm për sigurinë personale të gazetarit dhe presionit ndaj punës së tij profesionale.

“Shqetësimi ynë lidhet me përpjekjen për ta detyruar gazetarin të heqë një postim përmes kanosjes “nëse s’e heq postimin, kemi me u vra”. Një deklarim i tillë, që i atribuohet Gani Gecit, duhet të trajtohet me seriozitet nga organet e drejtësisë, për shkak të rrezikut që paraqet për sigurinë personale dhe presionit që ushtron mbi punën gazetareske”, tha Vata.

Vata ka theksuar se pakënaqësia ndaj një publikimi nuk e justifikon kërcënimin, duke shtuar se kushdo që pretendon se është dëmtuar nga përmbajtja e një publikimi duhet t’u drejtohet rrugëve ligjore.

“Pakënaqësia ndaj një publikimi nuk e justifikon kërcënimin. Kushdo që pretendon se është cenuar nga përmbajtja e tij, duhet t’u drejtohet rrugëve ligjore”, u shpreh ai.

Në fund, avokati ka kërkuar që të gjitha rrethanat e rastit të hetohen plotësisht dhe që Lirim Mehmetajt t’i sigurohet mbrojtje efektive.

“Presim që të gjitha rrethanat të hetohen plotësisht dhe që Lirim Mehmetajt t’i sigurohet mbrojtje efektive”, u shpreh ai./Lajmi.net/