Gani Geci para gjykatës: Nuk kam kanosur askënd, vetëm kam kërkuar të mbrohet familja ime
Ish-deputeti Gani Geci, të cilit i është caktuar një muaj paraburgim nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj, ka deklaruar para gjykatës se nuk ka kanosur askënd, por se ka kërkuar mbrojtjen e familjes së tij. Në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, Geci ka kundërshtuar pretendimet ndaj tij, duke thënë se…
Lajme
Ish-deputeti Gani Geci, të cilit i është caktuar një muaj paraburgim nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj, ka deklaruar para gjykatës se nuk ka kanosur askënd, por se ka kërkuar mbrojtjen e familjes së tij.
Në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, Geci ka kundërshtuar pretendimet ndaj tij, duke thënë se nuk ka ndërmend të arratiset dhe se, sipas tij, i vetmi dëshmitar i rastit është babai i gazetarit Mehmetaj.
“Prokuroria është marrë vetëm me prova fajësuese dhe nuk ka marrë parasysh provat shfajësuese. Po ashtu, ka shtuar se nuk do të arratisem, pasi nuk jam arratisur asnjëherë”, thuhet në deklarimin e Gecit, të përfshirë në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Geci ka pretenduar gjithashtu se nuk ka ushtruar kanosje ndaj Mehmetajt, por se veprimet e tij kanë pasur për qëllim mbrojtjen e familjes.
“Sa i përket rrezikut të përsëritjes, ka shtuar se unë vetëm kam kërkuar të mbrohet familja ime dhe se nuk kam kanosur askënd”, thuhet në vendim.
Ndërkaq, prokurori i rastit, Blerim Igrishta, ka qëndruar pranë kërkesës për caktimin e paraburgimit, ndërsa avokati mbrojtës i Gecit, Besnik Berisha, e ka kundërshtuar atë, duke pretenduar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për një masë të tillë.
Berisha ka argumentuar se veprimet e klientit të tij kanë pasur për qëllim mbrojtjen e familjes, duke përmendur edhe nipin e tij, deputetin Fatos Geci, për të cilin ka pretenduar se ishte dëmtuar nga deklarimet e Mehmetajt.
Arsyetimi i Gjykatës për paraburgimin
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Geci ka kryer veprën penale të kanosjes, duke u mbështetur në provat e paraqitura nga Prokuroria.
Sipas vendimit, gazetari Mehmetaj ka deklaruar se Geci i kishte drejtuar fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”, si dhe “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”.
Gjykata ka marrë parasysh edhe komunikimet mes Gecit dhe Mehmetajt në Facebook, përmes të cilave, sipas vendimit, ish-deputeti i kishte kërkuar gazetarit ta largonte postimin që lidhej me Fatos Gecin.
Po ashtu, si rrethanë me rëndësi është vlerësuar fakti se Geci kishte shkuar para televizionit “Dukagjini”, ku ndodhej Mehmetaj, dhe kishte publikuar veprimin e tij në TikTok. Sipas gjykatës, ai kishte pritur rreth dy orë që gazetari të dilte nga studioja.
Në arsyetimin e saj, gjykata ka vlerësuar se fjalët dhe veprimet e pretenduara mund të kenë shërbyer si mjet presioni ndaj gazetarit.
“Këto fjalë, të vlerësuara në kontekstin në të cilin janë përdorur, tregojnë se kanosja të jetë shfrytëzuar si mjet presioni për ta detyruar të dëmtuarin të veprojë sipas kërkesës së të pandehurit”, thuhet në vendim.
Gjykata ka konsideruar se ekziston rreziku që, nëse lihet i lirë pa masa të përshtatshme, Geci të tentojë të kontaktojë sërish Mehmetajn ose të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj tij.
Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se pretendimet për rrezikun e arratisjes nuk janë argumentuar mjaftueshëm me rrethana konkrete. Po ashtu, nuk ka konstatuar se ekziston rrezik i ndikimit në prova.
Sipas vendimit, masa e arrestit shtëpiak është vlerësuar si e pamjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës së dyshuar, pasi presioni ndaj gazetarit mund të vazhdojë edhe përmes komunikimit elektronik.
Për këtë arsye, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar Gecit një muaj paraburgim, ndërsa ndaj vendimit është lejuar ankesa në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 48 orësh.
Gani Geci dyshohet për veprën penale të kanosjes, nga neni 181, paragrafi 2, i Kodit Penal të Kosovës.