Termokos: Ngrohja nis nesër, por jo menjëherë me kapacitet të plotë

Ndërmarrja Publike “Termokos” do të nisë furnizimin me ngrohje nga e mërkura, më 15 tetor, pasi janë përmbushur kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit të ri ngrohës. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net Afërdita Uka-Fejzullahu, zyrtare për marrëdhënie me publikun në “Termokos”, e cila ka bërë të ditur se përgatitjet për sezonin e ri…

Lajme

14/10/2026 17:36

Ndërmarrja Publike “Termokos” do të nisë furnizimin me ngrohje nga e mërkura, më 15 tetor, pasi janë përmbushur kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit të ri ngrohës.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net Afërdita Uka-Fejzullahu, zyrtare për marrëdhënie me publikun në “Termokos”, e cila ka bërë të ditur se përgatitjet për sezonin e ri kanë përfunduar me sukses.

Sipas saj, Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes, Bersant Beka, në bashkëpunim me menaxhmentin, ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e furnizimit me ngrohje, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kalendarin e zakonshëm.

“Bazuar në të gjitha përgatitjet e realizuara me sukses të plotë, Kryeshefi Ekzekutiv i NP ‘Termokos’ SH.A., z. Bersant Beka, në bashkëpunimin me menaxhmentin e ndërmarrjes, ka konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e sezonit të ri ngrohës sipas legjislacionit në fuqi dhe kalendarit të zakonshëm nga data 15 tetor”, ka deklaruar Uka-Fejzullahu për lajmi.net.

Ajo ka bërë të ditur se aktualisht në rrjetin e ngrohjes janë të kyçur mbi 25 mijë konsumatorë, të cilët do të përfshihen në furnizimin me ngrohje gjatë sezonit të ri.

“Si rëndom, furnizimi me ngrohje do të fillojë dhe do të ofrohet për gjithë konsumatorët pa dallim”, ka theksuar ajo.

Megjithatë, konsumatorët nuk do ta marrin ngrohjen menjëherë me kapacitet të plotë. Nga “Termokos” kanë shpjeguar se furnizimi do të nisë gradualisht, për të garantuar sigurinë e pajisjeve dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit.

“Për të garantuar sigurinë e pajisjeve dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit, furnizimi me ngrohje do të nisë me kapacitet të kufizuar dhe do të rritet gradualisht, deri në stabilizimin e plotë të furnizimit për të gjithë konsumatorët”, ka deklaruar Uka-Fejzullahu.

Ajo ka bërë të ditur se konsumatorët do të fillojnë ta ndiejnë ngrohjen gjatë ditës së nesërme, ndërsa ndërmarrja do të angazhohet që furnizimi të jetë i rregullt dhe cilësor gjatë gjithë sezonit.

“Pra, konsumatorët tanë gjatë ditës së nesërme do ta ndiejnë ngrohjen. Si çdo herë, NP ‘Termokos’ angazhohet maksimalisht, që të ofrojë furnizim të rregullt dhe cilësor me ngrohje për gjithë konsumatorët, gjatë gjithë sezonit ngrohës”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, sa i përket zgjerimit të rrjetit, nga “Termokos” kanë bërë të ditur se projektet e planifikuara për vitin e kaluar janë përmbyllur, por gjatë këtij viti nuk ka pasur zgjerime të reja.

Sipas zyrtares për marrëdhënie me publikun, kjo lidhet edhe me punimet dhe projektet kapitale që janë aktualisht në proces të realizimit.

“Pasi që vitin e kaluar janë përmbyllur projektet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, gjatë këtij viti nuk kemi pasur zgjerim të rrjetit”, ka deklaruar Uka-Fejzullahu.

Ajo ka bërë të ditur se ndërmarrja është duke punuar në dy projekte të rëndësishme kapitale, përmes të cilave synohet rritja e kapaciteteve dhe krijimi i mundësive për kyçjen e konsumatorëve të rinj.

“Ndërkohë, jemi në proces të realizimit të dy projekteve kapitale, siç janë ‘Solar 4Kosovo II’ dhe Projekti për dyfishimin e kapaciteteve, në saje të të cilave do të krijohen mundësitë për kyçjen e mijëra konsumatorëve të rinj”, ka theksuar ajo.

Megjithatë, zgjerime të reja të rrjetit nuk pritet të realizohen gjatë këtij viti. Nga “Termokos” kanë sqaruar se pas fillimit të furnizimit me ngrohje, ndërhyrjet në rrjet nuk lejohen.

“Nuk do të ketë zgjerim të rrjetit gjatë këtij viti, pasi që pas fillimit të furnizimit me ngrohje nuk lejohen ndërhyrje në rrjet”, ka përfunduar Uka-Fejzullahu./lajmi.net/