Jep dorëheqje ambasadorja e SHBA-së në Greqi, pas kërkesës së Trumpit
Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e presidentit amerikan Donald Trump në Greqi, ka dhënë dorëheqje të martën, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme. Ajo ka deklaruar se do të mbrohet fuqishëm ndaj pretendimeve. Administrata amerikane kishte bërë të ditur më herët se i kishte kërkuar Guilfoyle të largohej nga posti, pas kritikave lidhur me pretendimet për veprime…
Bota
Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e presidentit amerikan Donald Trump në Greqi, ka dhënë dorëheqje të martën, pas akuzave për sjellje të papërshtatshme. Ajo ka deklaruar se do të mbrohet fuqishëm ndaj pretendimeve.
Administrata amerikane kishte bërë të ditur më herët se i kishte kërkuar Guilfoyle të largohej nga posti, pas kritikave lidhur me pretendimet për veprime të papërshtatshme dhe të mundshme të paligjshme, para dhe gjatë mandatit të saj në Athinë, transmeton lajmi.net.
Njoftimi erdhi pas disa ditësh spekulimesh dhe u bë gjatë konferencës së parë për media të zëdhënëses së re të Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia.
Zacharia e vlerësoi punën e Guilfoyle, duke deklaruar se ajo “ka qenë një aset i mrekullueshëm për ekipin”, ndërsa i uroi suksese në të ardhmen.
Mundësia e largimit të ambasadores ishte përmendur që gjatë fundjavës. Ndërkohë, presidenti Trump kishte shprehur të hënën pakënaqësinë e tij lidhur me raportimet për sjelljen e pretenduar të saj.
I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse po shqyrtonte shkarkimin e Guilfoyle, Trump ishte përgjigjur: “Po e shqyrtojmë këtë. Nuk jemi të kënaqur”.
Guilfoyle, nga ana e saj, ka këmbëngulur se do të mbrohet fuqishëm ndaj akuzave të ngritura kundër saj./lajmi.net/