“Ishte përpjekje për parandalimin e tensioneve të mëtejshme” Deputeti Quni tregon se çka kërkonte ai në takimin e Gani Gecit me familjen Mehmetaj
Përplasja mes gazetarit Lirim Mehmetaj dhe familjes Geci, e nisur pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka përfunduar me ndalimin e Gani Gecit për 48 orë, nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit. Rasti nisi pasi Gani Gecit, si familjar i deputetit Fatos Geci nuk i pëlqeu që gazetari Mehmetaj iu…
Lajme
Përplasja mes gazetarit Lirim Mehmetaj dhe familjes Geci, e nisur pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka përfunduar me ndalimin e Gani Gecit për 48 orë, nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit.
Rasti nisi pasi Gani Gecit, si familjar i deputetit Fatos Geci nuk i pëlqeu që gazetari Mehmetaj iu referua si analfabet dhe e kritikoi për mënyrën se si shfaqi në publik një të pavërtetë që lidhet me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe gjyqin në kuadër të Speciales.
Baza e kritikës së gazetarit mbi paditurinë e Fatos Gecit nuk i pëlqeu Gani Gecit, që sipas gazetarit Mehmetaj më pas kërkoi që statusi të largohet. Mehmetaj madje deklaroi publikisht se ai u kërcënua nga disa njerëz në zyrën e tij dhe rastin e procesoi më pas në Polici. Kurse ishte vetë Geci që deklaroi se dje u takua bashkë me babain e Lirim Mehmetajt dhe vëllezërit, me ndërmjetësimin e deputetëve të LDK-së, Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj.
Por çka kërkonin deputetët në këtë ndërmjetësim ku familjes Mehmetaj iu kërkua që familja Geci të mos përmendej nga gazetari ?
Pikërisht për praninë e tij në këtë takim, u deklarua vetë deputeti Quni.
Në një përgjigje për lajmi.net, Quni sqaroi se ndërhyrja e tyre nuk ishte një proces zyrtar pajtimi, por një përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Angazhimi im dhe i Gjeneral Hadërgjonajt nuk ishte në cilësinë e një pajtimi zyrtar, por si një përpjekje për parandalimin e tensioneve të mëtejshme”, deklaroi Quni.
Ai tha se takimi ishte zhvilluar me kërkesë të bashkëluftëtarëve që kanë respekt për të dyja familjet dhe se thirrja e tyre ishte që mosmarrëveshjet të zgjidheshin në mënyrë të civilizuar, përmes institucioneve të drejtësisë.
“Angazhimi im dhe i Gjeneral Hadergjonajt nuk ishte në cilësinë e një pajtimi zyrtar, por si një përpjekje për parandalimin e tensioneve të mëtejshme. Kjo ndërhyrje u bë me kërkesë të bashkëluftëtarëve tanë, të cilët gëzojnë konsideratë dhe respekt të thellë për të dyja familjet. Thirrja jonë e përbashkët ishte që çdo mosmarrëveshje të adresohet e të zgjidhet në mënyrë të civilizuar, duke pasur si adresë të vetme institucionet e drejtësisë. Është e pakuptimtë që dy familje, të cilat kanë dhënë aq shumë për çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë, të akuzohen ndërmjet veti për veprime antikombëtare. Gjatë këtij bashkëbisedimi, në asnjë moment dhe ndaj asnjërës palë nuk është ushtruar asnjë lloj presioni lidhur me të drejtën e fjalës së lirë apo ushtrimin e profesionit. Si rezultat i sqarimit të hapur të mosmarrëveshjeve, të dyja palët treguan maturi, kulturë të lartë komunikimi dhe vullnet të plotë për t’i mbyllur temat e së kaluarës që u kanë shkaktuar shqetësime”, tha Quni për lajmi.net.
Quni gjithashtu mohoi se gjatë takimit ishte ushtruar presion ndaj cilësdo palë për të kufizuar lirinë e shprehjes apo ushtrimin e profesionit.
“Gjatë këtij bashkëbisedimi, në asnjë moment dhe ndaj asnjërës palë nuk është ushtruar asnjë lloj presioni lidhur me të drejtën e fjalës së lirë apo ushtrimin e profesionit”, theksoi ai.
Por gjithçka nisi pas deklaratave të Fatos Gecit për UÇK-në
Deputeti i Vetëvendosjes, Fatos Geci, publikoi një status në të cilin kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës në debatet politike dhe në raport me proceset gjyqësore në Hagë.
“Paramendoni, tuli ajrokremi u bë me folë për UÇK-në! Gjyshja ime, në luftë i ka ushqyer me bukë ushtarët e UÇK-së, sot, në moshën 93-vjeçare, më tha: “Djali jem, ma kanë gërditë UÇK-në duke e përmendur këta… Paramendoni thonë me mburrje se, nëse nuk je me atë që vrau Behajdin Allaqin dhe 244 atdhetarë të tjerë shqiptarë, atëherë je me Milloshin.
Të tillë si këta ajrokrema, mendojnë edhe 44 mijë veteranë të rremë, të cilët, e vjedhin shtetin tonë më rreth 100 milionë euro në vit, nga taksat tona, pa qenë kurrë në luftë.
Jam krenar që jam djali i familjes së parë të UÇK-së së vërtetë. Jam më UÇK-në e 10 mijë veteranëve të vërtetë, që komandanti ynë ishte Adem Jashari, ndërsa komandanti suprem Ibrahim Rugova ne krye më ministrin Ahmet Krasniqin. UÇK-ja u përket atyre që luftuan vërtet. UÇK-ja është e jona! Mos na e njollosni historinë dhe sakrificën e saj. UÇK-ja sot po pastrohet nga ata që u përpoqën ta uzurponin emblemën e saj dje! Në shkrimin e tij, Geci përmendi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe pretendoi se 244 atdhetarë shqiptarë ishin vrarë, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj asaj që e cilësoi si përpjekje për ta njollosur historinë e UÇK-së”, shkroi deputeti Geci në Facebook.
Postimi nxiti reagimin e gazetarit Lirim Mehmetaj, i cili e kritikoi ashpër deputetin, duke pretenduar se ai po ia atribuonte Thaçit një numër vrasjesh që, sipas Mehmetajt, nuk ishte paraqitur as nga Gjykata Speciale në atë formë.
Gazetari kritikoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke e vënë në pikëpyetje heshtjen e partisë ndaj deklaratave të deputetit të saj dhe duke kërkuar distancim publik nga ato që i konsideroi akuza të rënda ndaj ish-presidentit Thaçi.
Mehmetaj ngriti gjithashtu pikëpyetje për strategjinë e mundshme të lobimit ndërkombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke vlerësuar se deklaratat e tilla e dëmtojnë këtë përpjekje.
“Fatos Geci, nje deputet analfabet i Vetevendosjes, per te cilin eshte e deshmuar para kamerave qe ka problem me artikulim bazik te gjuhes shqipe, e paska akuzuar Hashim Thaçin per 244 vrasje.
Nje shifer te tille nuk e ka dhene as vete Gjykata Speciale. Madje akuze te tille nuk ka bere as Serbia. Ne Beograd do t’jene krenar me Fatos Gecin. Ky deklarim anti-kombetar dhe kjo akuze e rende mund te vije vec nga nje analfabet i tille. Parakushti per te thene dicka te perafert eshte te mos e njohesh gjuhen shqipe sic nuk e njeh Fatos Geci. Por, se cka thote ky deputet idiot eshte ceshtje jo fort e rendesishme ne krahasim me faktin se partia e tij (e cila me demek eshte kunder denimit ne Hage) nuk e ben asnje ze ne raport me te.A nuk ka mbetur nje patriot i vetem ne ate parti? Si s’keni turp qe i jeni nenshtruar nje analfabeti si Fatos Geci? Si nuk guxon nje prej jush te distancohet kjo gjuhe qe s’e gjen as ne Beograd?
Paramendoje, me nje parti te tille kishe do te behet strategjia per lobim nderkombetar. Vec ndaluni e mendojeni tash se cfare strategjie mund te jete ajo”, shkroi Mehmetaj në profilin e tij në ‘Facebook’.
Mehmetaj më pas deklaroi se iu kërkua ta fshinte postimin
Pas publikimit të shkrimit, Mehmetaj deklaroi se ishte kontaktuar nga persona të familjes Geci, të cilët, sipas tij, i kishin kërkuar ta fshinte ose ta ndryshonte postimin për Fatos Gecin.
Duke folur në emisionin Debat Plus, gazetari tha se nuk kishte pranuar ta largonte publikimin dhe se më pas, sipas rrëfimit të tij, ishte përballur me kërcënime.
“Në mëngjes kam shkuar në polici, e kam raportu rastin. Unë mangup s’jam. Po me ma diktu çka shkruaj, nuk ka shansa, me u rrotullu tokë e qiell. E kam raportuar… kur kam thënë nuk e hjeku, më kanë kërcënuar”, ka deklaruar gazetari.
“Kanë kërcënu ata i kam thanë në rregull vazhdoni. Jam shku në polici e kam raportu rastin për kanosje se besoj se jetojmë në demokraci, po shpresoj se jetojmë në demokraci se nuk ka mundësi me u zgjedhë ti deputet i Kosovës.. Kam shku komplet në rrugë institucionale, në ndërkohë shokë të babit, Fadil Hadërgjonaj shokë të luftës e kanë kontaktu. E kom publiku ato e kom mbajt aty të publikume, kom me publiku sa herë të më doket mua se duhet me publiku për Fatos Gecin, deputet i Kosovës është. Baba i tij më ka sha në Facebook, por s’merrna me njerëz privat sepse s’kom çka me kërku llogari, ama kur zgjedhësh deputet qeshtu duhet me shku se nuk bën ndryshe”,shtoi ai.
Sipas raportimeve të mediave, Mehmetaj kishte deklaruar se kërkesa për ndryshimin e postimit ishte përsëritur edhe gjatë një takimi në zyrën e tij.
Situata mori tjetër drejtim në mbrëmjen e 12 tetorit, kur Mehmetaj ishte i ftuar në emisionin Debat Plus, ku po diskutonte bashkë me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda. Në fund të emisionit, moderatori Ermal Panduri e njoftoi Mehmetajn se persona po i prisnin jashtë objektit të televizionit, në zonën e njohur si “Reforma”. Sipas raportimeve të mediave, bëhej fjalë për Gani Gecin, i cili kishte shkuar pranë ambienteve të RTV Dukagjinit, ndërsa në vendngjarje ishte edhe Policia e Kosovës. Gazetari kishte deklaruar se, pas asaj që e përshkroi si kërcënim dhe presion për ta fshirë postimin, kishte vendosur t’ua linte çështjen në dorë institucioneve. Madje vetë Gani Geci publikoi video në tiktok duke treguar se po qëndronte jashtë zyrave të Dukagjinit. Pas kësaj, më 13 tetor, Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi ndalimin për 48 orë Gani Gecit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se e ka kanosur gazetarin Mehmetaj, për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij. Në kuadër të hetimeve janë intervistuar si gazetari, ashtu edhe i dyshuari, ndërsa Policia është autorizuar të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave. Ndalimi për 48 orë është masë procedurale dhe nuk nënkupton se fajësia e të dyshuarit është vërtetuar.
Policia dhe Prokuroria e thanë fjalën e fundit
Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë ndërmarrë veprime lidhur me rastin e kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, pas përplasjes publike me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, dhe zhvillimeve të mëvonshme që përfshinë Gani Gecin.
Policia ka konfirmuar se një person i dyshuar është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja” ndaj një gazetari, kurse sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i dyshuari Gani Geci është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se e ka kanosur Mehmetajn për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
Ngjarja ka nxitur debat publik për sigurinë e gazetarëve dhe të drejtën e tyre për të raportuar e kritikuar figurat publike, përfshirë deputetët dhe zyrtarët shtetërorë.
Liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve mbrohen me ligjet në fuqi, ndërsa çdo pretendim për kanosje apo vepra të tjera penale duhet të trajtohet nga organet kompetente, në përputhje me procedurat ligjore. Prokuroria ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e lirisë së shprehjes./Lajmi.net/