Nga linçimet publike te kanosjet, rastet që rikthyen shqetësimin për sigurinë e gazetarëve në Kosovë
Kanosjet ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj dhe fushata e sulmeve e etiketimeve ndaj gazetarit Fidan Jupolli kanë rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në Kosovë. Gjatë këtij muaji, të dy gazetarët janë përballur me situata që kanë nxitur reagime nga përfaqësues të mediave, politikanë dhe njohës të çështjeve ligjore, të…
Lajme
Kanosjet ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj dhe fushata e sulmeve e etiketimeve ndaj gazetarit Fidan Jupolli kanë rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në Kosovë.
Gjatë këtij muaji, të dy gazetarët janë përballur me situata që kanë nxitur reagime nga përfaqësues të mediave, politikanë dhe njohës të çështjeve ligjore, të cilët kanë ngritur shqetësimin për presionin ndaj gazetarëve.
Autori i emisionit “DPT te Fidani”, Fidan Jupolli, është përballur për ditë të tëra me etiketime dhe sulme publike pas një deklarimi të bërë në emisionin e tij: “o je me UÇK-në, o me Millosheviqin”.
Deklarata ishte bërë gjatë protestave kundër Gjykatës Speciale, të organizuara pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sulmet ndaj Jupollit u dënuan edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili shprehu mbështetje për gazetarin dhe mundësinë që ai të ndërmarrë veprime ligjore për denoncimin e tyre. AGK-ja paralajmëroi se fyerjet, etiketimet dhe kërcënimet cenojnë sigurinë dhe integritetin e gazetarit dhe familjes së tij.
Ndërkohë, shqetësimet për sigurinë e gazetarëve u shtuan pas rastit të Lirim Mehmetajt. Më 12 tetor, ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, u pa në oborrin e televizionit Dukagjini, ku, sipas raportimeve, kishte shkuar për ta pritur gazetarin.
Mehmetaj e kishte denoncuar rastin në polici, duke pretenduar se ishte kanosur pas një deklarimi për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, të cilin e kishte quajtur “analfabet”. Ky i fundit kishte akuzuar ish-krerët e UÇK-së për kryerjen e mbi 244 vrasjeve.
Policia e Kosovës konfirmoi më pas ndalimin e Gani Gecit për 48 orë, nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit të VOX Kosova, Lirim Mehmetaj.
Pas zhvillimeve, Mehmetaj reagoi në rrjetet sociale me fjalët: “E vërteta gjithmonë”.
Rastet kanë nxitur reagime edhe për nevojën e forcimit të mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e gazetarëve.
Juristja e medias, Flutra Kusari, i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë hapa urgjentë për ndryshimin e ligjeve dhe krijimin e mekanizmave që garantojnë sigurinë e gazetarëve.
“Oj Qeveri, wake up! Lirim Mehmetaj po përballet me presion të jashtëzakonshëm. Fidan Jupolli po përballet me presion të jashtëzakonshëm. Çfarë duhet të ndodhë më shumë që Qeveria e Kosovës të fillojë t’i ndryshojë ligjet dhe të krijojë mekanizma për mbrojtjen e gazetarëve?”, ka shkruar Kusari në Facebook.
Ajo ka theksuar se do të vazhdojë të ngrejë shqetësimin për sigurinë e gazetarëve, duke u mbështetur edhe në përvojën e saj profesionale në vende ku janë vrarë gazetarë.
“Po e them prapë dhe kom me përsëritë vazhdimisht. Unë punoj në vende ku janë vra gazetarë. Atmosfera në të cilën punojnë gazetarët në Kosovë ka ngjashmëri të madhe me ato vende. Nuk po them se në Kosovë do të vriten gazetarë, por situata është e rrezikshme dhe qeveria duhet të zgjohet nga gjumi dhe ta marrë seriozisht këtë punë”, ka theksuar ajo.
Shqetësimet për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare. Sipas raportit të publikuar më 20 korrik nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, liria e medias në vend po përballet me përkeqësim, të lidhur me ndërhyrjet politike, sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimin e pavarësisë së institucioneve mediale.
Ndërkaq, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 69 raste që përfshinin gazetarë dhe media gjatë vitit 2025, përfshirë denigrim publik, diskreditim dhe sulme online. Sipas raportit, një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me deklarata ose veprime të zyrtarëve publikë dhe politikanëve.
Edhe Indeksi Botëror i Lirisë së Mediave i organizatës Reporterë pa Kufij për vitin 2026 e rendit Kosovën në vendin e 84-t nga 180 vende, një rënie prej 28 pozitash krahasuar me vitin 2023. /Lajmi.net/