Avokati Kërveshi paralajmëron padi ndaj Shefqet Manit nga Tetova për videon e montuar me AI të Xhavit Halitit
Një video e gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI), në të cilën ish-deputetit të PDK-së dhe njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Xhavit Halitit, i atribuohen deklarata për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe përdorimin e gjuhës serbe e alfabetit cirilik në Kosovë, ka nxitur reagimin e avokatit të tij, Kujtim Kërveshi.…
Lajme
Një video e gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI), në të cilën ish-deputetit të PDK-së dhe njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Xhavit Halitit, i atribuohen deklarata për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe përdorimin e gjuhës serbe e alfabetit cirilik në Kosovë, ka nxitur reagimin e avokatit të tij, Kujtim Kërveshi.
Sipas pretendimeve të publikuara, videon e ka shpërndarë Shefqet Mani, i cili prezantohet si gazetar nga Maqedonia e Veriut, transmeton lajmi.net.
Në videon e manipuluar, Haliti paraqitet sikur bën thirrje që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet, që shqipja dhe serbishtja të kenë status të barabartë në Kosovë dhe që alfabeti cirilik të përdoret në të gjithë territorin e vendit.
Avokati Kujtim Kërveshi ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar videon si montazh të deklaratave të Halitit dhe duke paralajmëruar për pasojat që mund të shkaktojë publikimi i materialeve të tilla.

“Një gazetar prodhon një video false, e aty, z. Haliti kërcënohet me jetë në komentet që pasojnë e për këto kërcënime, tani i del punë policisë!”, ka shkruar Kërveshi.
Ai ka theksuar se videoja e manipuluar e paraqet Halitin në një kontekst të pavërtetë, duke e ekspozuar ndaj rrezikut për shkak të reagimeve dhe kërcënimeve të publikuara në komentet e videos.
Sipas avokatit, pasojat e këtij publikimi mund të jenë serioze, veçanërisht për shkak të kërcënimeve me jetë që, sipas tij, janë drejtuar ndaj ish-deputetit.
Kërveshi ka bërë të ditur se deklarimin e saktë të Halitit e ka publikuar në koment, për ta dalluar atë nga materiali i manipuluar.
“Në cilësinë e avokatit të z. Haliti, më ka nxjerrë edhe mua pak punë, por do t’u përgjigjemi këtyre montimeve me përgjegjësi dhe profesionalizëm!”, ka përfunduar ai.
Avokati ka paralajmëruar kështu reagim ndaj publikimit të materialit të manipuluar, duke vënë në pah rrezikun që përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale mund të paraqesin kur u atribuohen personave deklarata që nuk i kanë bërë./lajmi.net/