MASh dhe Policia demantojnë raportimet se sot ka pasur bastisje dhe arrestime në ministri: Puna në institucion po zhvillohet normalisht
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka demantuar lajmin e publikuar sot në disa media, sipas të cilit pretendohej se Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në ambientet e kësaj ministrie. Në reagimin e saj, MASh ka bërë të ditur se ka marrë konfirmim nga Policia e Kosovës se një zhvillim i tillë nuk ka…
Lajme
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka demantuar lajmin e publikuar sot në disa media, sipas të cilit pretendohej se Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në ambientet e kësaj ministrie.
Në reagimin e saj, MASh ka bërë të ditur se ka marrë konfirmim nga Policia e Kosovës se një zhvillim i tillë nuk ka ndodhur.
“MASh sqaron se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se ky informacion është i pavërtetë dhe se në ambientet e saj nuk ka pasur bastisje”, thuhet në reagim.
Ministria u ka bërë thirrje mediave që e kanë publikuar ose ripublikuar lajmin që ta tërheqin atë dhe ta publikojnë demantimin me të njëjtën dukshmëri.
Ndërkohë, në një përgjigje për Lajmi.net, Policia e Kosovës ka konfirmuar se deri në këto momente nuk ka informacion zyrtar për ndonjë zhvillim apo rast të realizuar sot në ministrinë në fjalë.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë zhvillim/rast të realizuar sot nga Policia e Kosovës, në ministrinë të cilës iu keni referuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
MASh ka theksuar se puna në institucion po zhvillohet normalisht dhe se të gjitha përgjegjësitë institucionale po realizohen sipas planifikimeve./lajmi.net/