Ligji për Specialen kërkohej me urgjencë, por del të jetë krejtësisht i pavlefshëm dhe mund të shqyrtohet nga Kushtetuesja – BE dhe Gjermania shprehin shqetësim

Në Kuvendin e Kosovës, mbrëmjen e së hënës deputetët kanë votuar për plotësim-ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Kjo u bë pas për 21 ditë rresht që protestues të shumtë u mblodhën në sheshin “Skenderbeu” si dhe protestuan përreth institucioneve të vendit. Protesta e titulluar “Jo në Emrin tim” del të ketë qenë me një…

Lajme

08/10/2026 12:06

Në Kuvendin e Kosovës, mbrëmjen e së hënës deputetët kanë votuar për plotësim-ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Kjo u bë pas për 21 ditë rresht që protestues të shumtë u mblodhën në sheshin “Skenderbeu” si dhe protestuan përreth institucioneve të vendit.

Protesta e titulluar “Jo në Emrin tim” del të ketë qenë me një kërkesë: miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ligj ky i cili del të mos jetë i përpunuar siç duhet juridikisht, pa efekt pozitiv juridik për çlirimtarët në Hagë e në fakt pa asnjë efekt që 4shes atje t’u lehtësohet sado pak procesi i përballjes më drejtësinë.

Madje tanimë në publik është e ditur se Ligji i propozuar nga PDK-ja për Gjykatën Speciale bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, apo me nenin 162 të saj.

Përpos kësaj, ky ligj i përpunuar shpejtë e shpejtë dhe i dalë në publik si urgjencë bie në kundërshtim edhe me disa nene të tjera- e kësisoj rrezikon që të rrëzohet nga Gjykata e të shpallet krejtësisht i pavlefshëm.

Me 91 vota pro, është votuar në lexim të dytë ky ligj pas 21 ditësh protesta e kërkesa për ta votuar atë, shkruan lajmi.net.

Por, a përfundon beteja këtu? 

Sipas nenit 162 te Kushtetutës, pika 3, ligji do t’i referohet Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës Speciale, sepse kjo Gjykatë ka juridiksion ekskluziv për referime kushtetuese që lidhen me mandatin, juridiksionin, strukturën ose funksionimin e Speciales. Kjo gjykatë madje parashihet se mund ta shpallë të pavlefshëm ligjin.

Juristë dhe njohës të ligjit, kanë thënë ditë më parë se kjo nuk është e mundur të ndodh e disa kanë thënë se duhet të bëhet në komunikim me BE-në.

Ehat Miftaraj, drejtor i IKD-së ka deklaruar për REL-in se “ndryshimi i ligjit nuk guxon t’i cenojë obligimet që ka marrë Kosova në bazë të Nenit 162 të Kushtetutës”, dhe se “çdo plotësim-ndryshim i ligjit nuk mund të jetë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër Kosova”.

Përmes një shkëmbimi letrash në prillin e 2014-s mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe shefes së BE-së, Catherine Ashton, Kosova mori një sërë zotimesh lidhur me Dhomat e Specializuara.

Shkëmbimi i këtyre letrave ishte në thelb marrëveshja që e krijoi atë që sot në Kosovë njihet si Gjykata Speciale.

Ndër zotimet që mori Kosova asokohe ishte edhe të konsultohej me BE-në për çfarëdo nisme për ndryshim të ligjeve që kanë ndikim në mandatin gjykatës, apo në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).

Po ashtu, Kosova u zotua për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, tani në pension, thotë për REL-in se Kosova nuk mund të ketë ndikim me një nismë të tillë mbi Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai e përshkruan Specialen si një gjykatë me tiparet e një gjykate ndërkombëtare penale, njëlloj sikurse çdo tribunal ndërkombëtar i Hagës, dhe thotë se Kosova e as ligji i saj nuk kanë autoritet mbi të.

“Kjo gjykatë i ka kompetencat e një gjykate penale ndërkombëtare, dhe i vetmi element i Kosovës në këtë gjykatë është se u themelua me ligjin e Kosovës. Madje, edhe arkivi i kësaj gjykate do të vazhdojë të ruhet në Hagë, nuk do t’i jepet Kosovës”, thekson Salihu.

Ndër ndryshimet e synuara është edhe juridiksioni i Speciales. Pra, të ngushtohet në mënyrë drastike fusha e veprimit të saj – ajo çfarë mund të hetojë dhe të gjykojë.

Po ashtu, kërkohet që rastet që do të konsideroheshin jashtë juridiksionit, të barteshin te gjykatat dhe prokuroria në Kosovë, dhe që palët të mund të ankoheshin në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë.

Dhe, gjithashtu, që dënimi maksimal të bëhej burgimi prej 15 vjetësh, që dënimi të vuhej në Kosovë dhe që presidenti të mund t’i falte të dënuarit.

Megjithatë, secili nga këto ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara është subjekt i vlerësimit të ligjshmërisë nga ana e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, të cilët vendosin ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, shpjegon Miftaraj.

A u kontaktuan BE dhe Gjykata Speciale?

Gjykata Speciale dje në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se nuk janë kontaktuar në lidhje me këtë.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk janë konsultuar dhe as kontaktuar lidhur me këto çështje. Për momentin, nuk kemi ndonjë koment”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga Specialja kanë theksuar se aktualisht janë të përqendruara në përmbushjen e mandatit të tyre.

“Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, thuhet tutje në përgjigje.

Në lidhje me këtë ligj, dje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ka thënë se është thellësisht i shqetësuar nga ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat, sipas zyrtarëve të Brukselit, bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, për Radion Evropa e Lirë.

Ai kujtoi se Brukseli e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara si institucion i pavarur gjyqësor, dhe këmbënguli që mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre të respektohen plotësisht.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, theksoi Wiegand.

Duke iu referuar kësaj deklarate, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës – partisë që nisi iniciativën për ndryshimin e ligjit – Përparim Gruda, insistoi se Kosova nuk po shkel detyrimet e veta ndërkombëtare.

“Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve. Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkelet”, tha Gruda gjatë një konference për media.

Ai përsëriti deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Prishtinë javën e kaluar, kur kishte thënë se i takon Kosovës të vendosë për ndryshimet në legjislacion, por që duhet të garantohet pavarësia e Gjykatës Speciale.

Përveç BE-së, negative këtë ndryshim të ligjit e ka parë edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Ata kanë thënë se ndihen “thellësisht të shqetësuar” për ndryshimet që Kuvendi i Kosovës i bëri një ditë më parë në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një përgjigje për REL-in, zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë, Catalina Heine, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor dhe se pavarësia e tyre nuk bën të cenohet.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështetën në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht”, thuhet në përgjigje.

Ambasada gjithashtu theksoi se e mbështet qëndrimin e BE-së kundër ndryshimeve në këtë ligj.

Ligji për Gjykatën Speciale i votuar në lexim të dytë të martën e 6 tetorit, u iniciua nga PDK-ja.

Nisma e PDK-së erdhi vetëm pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në dokumentin e publikuar, nevoja për ndryshime lidhet me këtë aktgjykim dhe me gjetjet e trupit gjykues për “ndërmarrjen e përbashkët kriminale”.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet për krime lufte, ndërsa të katërt u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.

Pretendimet për trafikim organesh nuk ishin pjesë e aktakuzës ndaj tyre dhe asnjëri prej tyre nuk u gjykua për akuza të tilla.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mbrojtja ka paralajmëruar apel.

Por, çfarë ndryshon konkretisht në ligj?

Juridiksion më i ngushtë

Një prej ndryshimeve kryesore ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Dhomat e Specializuara.

Ligji synon ta lidhë juridiksionin e tyre me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Sipas ligjit, Specialja do të merrej me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.

Në juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, tortura dhe trajtimi mizor ose çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.

Kjo do të nënkuptonte heqjen nga juridiksioni i Speciales të krimeve të tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.

Ndryshon edhe periudha kohore

Ligji i deritashëm u jepte Dhomave të Specializuara juridiksion për krimet e pretenduara të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ligji i ri kërkon që kjo periudhë të nisë më 1 korrik 1999 dhe të përfundojë më 31 dhjetor 2000.

Pra, periudha para 1 korrikut 1999 hiqet nga juridiksioni kohor i Speciales.

Ndryshim kërkohet edhe në aspektin territorial.

Juridiksioni kufizohet në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.

Specialja ka trajtuar edhe pretendime për krime të kryera në veri të Shqipërisë.

Maksimumi 15 vjet burgim

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me dënimet.

Ligji kërkon që dënimi maksimal që mund të shqiptohet, të jetë 15 vjet burgim.

Në dokument kjo lidhet me parimin e ligjit më të favorshëm për të dënuarin – lex mitior – sipas të cilit zbatohet ligji penal që është më i favorshëm për personin e dënuar.

Në aktgjykimin e 16 shtatorit, tre prej katër të akuzuarve morën dënime më të larta se kufiri prej 15 vjetësh që propozohet me projektligj.

Rastet jashtë juridiksionit kalojnë në Kosovë

Ligji parasheh që rastet që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më në kompetencën e Dhomave të Specializuara, të transferoheshin në sistemin e rregullt gjyqësor të Kosovës.

Bashkë me rastin do të transferoheshin edhe dosjet, provat dhe materialet përkatëse.

Trupat gjykues do të duhej ta rishqyrtonin juridiksionin për secilin rast brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit.

Në rastet ku një aktakuzë përmban akuza që hyjnë në juridiksionin e ri dhe të tjera që mbeten jashtë tij, procedura do të ndahej.

Pjesa jashtë juridiksionit do të transferohej në Kosovë.

Personat e ndaluar në rastet që transferohen, do të silleshin në Kosovë dhe, sipas ligjit, do të duhej të dilnin para një gjyqtari brenda 48 orësh, për të vendosur për masën e sigurisë sipas ligjeve vendore.

Ligji parasheh edhe mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin.

Dënimet në Kosovë dhe falja presidenciale

Ndryshimet në ligj parashohin gjithashtu që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të mund t’i mbajnë dënimet në institucionet korrektuese të Kosovës.

Personave të dënuar me vendim të formës së prerë do t’u hapej edhe mundësia që të jenë subjekt i faljes nga presidenti i Kosovës.

Megjithatë, zbatimi i kësaj dispozite mund të ngrejë çështje juridike.

Ligji aktual për Faljen përjashton nga e drejta për të kërkuar falje personat e dënuar për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.

Çfarë ndodh me rastet që janë në proces?

Sipas shpjegimeve të PDK-së, procedurat aktuale të apelit do të vazhdonin brenda strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara.

Nëse Apeli do të urdhëronte rigjykim, atëherë do të zbatohej juridiksioni i ri.

Nëse rasti nuk do t’i plotësonte kriteret e reja, ai do të mund të transferohej në Kosovë.

Pra, miratimi i ligjit nuk nënkupton vetvetiu anulimin e aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e personave të dënuar. /Lajmi.net/