Deliu-Kodra uron Kosovën pas natës së mbrëmshme: Rreth UÇK-së duhet të jemi të gjithë bashkë

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka uruar Kosovën pas natës së mbrëmshme ku është votuar ligji për Dhomat e Specializuara në Hagë dhe është votuar Presidentja e re e Kosovës. Ajo ka thënë se pas natës së mbrëmshme, dëshiron të besoj se Kosova ka hapur një rrugë drejt më shumë bashkimi dhe përgjegjësie. “Urime nga…

Lajme

07/10/2026 10:35

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka uruar Kosovën pas natës së mbrëmshme ku është votuar ligji për Dhomat e Specializuara në Hagë dhe është votuar Presidentja e re e Kosovës.

Ajo ka thënë se pas natës së mbrëmshme, dëshiron të besoj se Kosova ka hapur një rrugë drejt më shumë bashkimi dhe përgjegjësie.

“Urime nga zemra, e dashur Justina Shiroka-Pula! Për mua, ke qenë prej vitesh një mike e dashur dhe një mentore, prej së cilës kam mësuar shumë. Sot të uroj sukses në detyrën e Presidentes, me besim se do t’i shërbesh Republikës me urtësi, ndjeshmëri dhe dinjitet”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ajo ka thënë se në Hagë, çlirimtarët tanë vazhdojnë betejën për drejtësi.

“Ata dhe familjet e tyre kanë bartur për vite një barrë të rëndë. Tani duhet ta ndiejnë shtetin pranë, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë. Miratimi i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zotimi i përbashkët në Kuvend duhet të shndërrohen në veprime konkrete nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria. Rreth UÇK-së dhe të vërtetës së luftës sonë çlirimtare duhet të jemi të gjithë bashkë”, ka shtuar Deliu-Kodra.

Ajo ka shprehur mirënjohje protestuesve dhe të gjithë qytetarëve në Kosovë e në diasporë, që bashkë e mbajtën gjallë kërkesën për drejtësi dhe mbështetje shtetërore për çlirimtarët.

“Me praninë në sheshe, me zërin dhe këmbënguljen e tyre, dëshmuan se kjo kauzë na bashkon dhe se familjet e çlirimtarëve nuk janë vetëm. Tani na takon ta mbajmë fjalën. Për çlirimtarët, për familjet e tyre dhe për brezat që vijnë”, ka shtuar Deliu-Kodra. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: