Hamza: Me Presidenten e re, shteti duhet të angazhohet më shumë për ish-krerët e UÇK-së

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke thënë se nata e mbrëmshme ishte e gjatë për Kosovën, por se ajo mund të shënojë edhe një kthesë drejt një rruge më të mirë për shtetin. Hamza ka shprehur besimin se, së bashku me shtetin dhe Presidenten e re,…

Lajme

07/10/2026 09:25

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke thënë se nata e mbrëmshme ishte e gjatë për Kosovën, por se ajo mund të shënojë edhe një kthesë drejt një rruge më të mirë për shtetin.

Hamza ka shprehur besimin se, së bashku me shtetin dhe Presidenten e re, Justina Shiroka-Pulën, do të ketë një angazhim më të madh edhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe betejën për drejtësi, të vërtetën dhe pastërtinë e luftës çlirimtare,r aporton lajmi.net

“Beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të bëhet më vetëm nga individët, familjet, dashamirët dhe mbrojtësit e tyre, të cilët tash e gati gjashtë vjet po e bartin mbi supet e tyre peshën e rëndë të këtij procesi. Shteti ynë tani duhet të jetë pranë tyre, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë”, ka shkruar Hamza.

Postimi i tij i plotë:

Nata e mbrëmshme ishte një natë e gjatë për Republikën e Kosovës. Por dua të besoj se do të jetë edhe një kthesë drejt rrugës së mbarë për shtetin tonë dhe, bashkë me shtetin e me Presidenten e re, edhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së, në betejën tonë të përbashkët për drejtësinë, të vërtetën dhe pastërtinë e luftës sonë çlirimtare.
Beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të bëhet më vetëm nga individët, familjet, dashamirët dhe mbrojtësit e tyre, të cilët tash e gati gjashtë vjet po e bartin mbi supet e tyre peshën e rëndë të këtij procesi. Shteti ynë tani duhet të jetë pranë tyre, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë.
Në emër të PDK-së, i falënderoj të gjithë qytetarët që protestuan pa u ndalur në kryeqytet, në shumicën e qyteteve të Kosovës dhe në diasporë, duke u bërë zëri i tyre dhe pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi.
Qytetarëve tanë dhe brezave që vijnë u duhet një Kosovë që nuk harron, një shtet që nuk dorëzohet dhe një shoqëri që e mbron të vërtetën e saj. Atyre u duhet një Kosovë që nuk lejon që sakrifica dhe lufta për liri të zbehen nga harresa apo të shtrembërohen nga paragjykimet.
Tani kemi një Deklaratë të Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, një ligj për mbrojtjen e UÇK-së dhe kemi Presidenten e zgjedhur. Prandaj, pa përjashtim, presim koordinimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithëve për këtë kauzë kombëtare.
UÇK-ja na bashkoi në një vizion. Tani është koha që atë vizion ta shndërrojmë në një mision të përbashkët, me angazhim dhe vepra konkrete.
Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm.
Duhet të jemi të gjithë bashkë!/Lajmi.net/