Tahiri: Nuk pati dakordim, PDK nuk e pranoi kushtëzimin e VV-së për presidentin

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pasur dakordim për votimin e presidentit dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Duke folur në Debat Plus, Tahiri ka thënë se fillimisht ka pasur kërkesë që deputetët të mblidhen në Kuvend dhe…

Lajme

05/10/2026 21:07

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pasur dakordim për votimin e presidentit dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Duke folur në Debat Plus, Tahiri ka thënë se fillimisht ka pasur kërkesë që deputetët të mblidhen në Kuvend dhe ligji të votohet si në leximin e parë, ashtu edhe në të dytin.

Sipas tij, kësaj kërkese i është përgjigjur PDK-ja deri në votimin e parë të projektligjit.

“Ka pas kërkesë. Nuk ka pas dakordim. Ka pas kërkesë me ardh në Kuvend, ka pas kërkesë me u votu edhe në leximin e parë edhe në të dytin. Dhe kërkesës tonë i janë përgjigjur deri te leximi i parë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se pas miratimit në lexim të parë, nga pala tjetër është kërkuar që PDK-ja të mbështesë kandidatin për president, ndërsa në këmbim të saj të mbështetej ligji.

“Masi ka ardh leximi i parë është votuar, ka qenë kërkesë e tyre që na me ua dhënë votën për president, ata me na e mbështet ligjin. Nuk e kemi pranuar këtë qasje”, ka thënë Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së ka theksuar se qëndrimi i tyre ka qenë që ndryshimet në ligj të miratohen në të dy leximet dhe vetëm më pas të diskutohet çështja e presidentit.

“Na kemi thënë ligji duhet të kalojë në dy leximet dhe pastaj të flasim për presidentin”, ka deklaruar Tahiri.