Xhafer Gashi jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në LDK: Atdheun duhet ta vendosim përpara vetes
Kryetari i Degës së LDK-së në Obiliq, Xhafer Gashi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Gashi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, anëtarit të Kryesisë dhe kryetarit të Degës së LDK-së në Obiliq. Në një deklaratë të…
Lajme
Kryetari i Degës së LDK-së në Obiliq, Xhafer Gashi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Gashi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, anëtarit të Kryesisë dhe kryetarit të Degës së LDK-së në Obiliq.
Në një deklaratë të gjatë, Gashi ka thënë se vendimi i tij vjen pas qëndrimit të LDK-së për mosvotimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Mosvotimi nga LDK-ja i ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ka shkaktuar indinjatë të thellë tek anëtarësia e Degës së LDK-së në Obiliq, përfshirë grupin tonë të asambleistëve. Këtë dhimbje dhe indinjatë e ndaj edhe unë”, ka shkruar Gashi.
Ai ka theksuar se mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kërkesa për drejtësi, sipas tij, tejkalojnë kufijtë partiakë.
“Sot duhet ta vendosim atdheun përpara vetes dhe interesave të ngushta partiake. Nuk mund t’i mbaj pozitat e mia në parti kur qëndrimi i saj për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen time dhe me përgjegjësinë që ndiej ndaj njerëzve që përfaqësoj”, ka deklaruar Gashi.
“Këtë vendim e marr personalisht, me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë”, ka shtuar ai.
Gashi ka falënderuar anëtarësinë e LDK-së në Obiliq, asambleistët, bashkëpunëtorët dhe qytetarët për besimin dhe përkrahjen.
Në fund, ai ka thënë se do të vazhdojë t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve.
“Pozitat mund t’i lëmë. Përgjegjësinë ndaj atdheut e mbajmë gjithë jetën”, ka përfunduar Gashi. /Lajmi.net/