Musliu u bën thirrje qytetarëve: Bashkohuni protestës, kërkojmë votimin e Ligjit për Specialen
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së sotme, me kërkesën për votimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Musliu tha se deputetët e PDK-së po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit, njësoj si qytetarët që, sipas…
Lajme
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së sotme, me kërkesën për votimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Musliu tha se deputetët e PDK-së po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit, njësoj si qytetarët që, sipas saj, prej tri javësh po protestojnë në Kosovë dhe në qytete të ndryshme të botës.
“Të dashur qytetarë, ashtu siç po qëndroni ju që tri javë në rrugët e Kosovës e në metropolet e botës, ashtu po qëndrojmë edhe ne në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, me të vetmen kërkesë dhe të vetmin qëllim, për ta votuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha Musliu.
Ajo theksoi se PDK aktualisht ka 22 deputetë dhe kërkoi nga qytetarët që të mbështesin protestën.
“Ne e dimë që jemi pak, jemi vetëm 22 deputetë, por sa më shumë jeni ju në rrugë, aq më të fortë do të bëhemi ne brenda sallës”, u shpreh ajo.
Musliu u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen organizatorëve të protestës dhe të kërkojnë votimin e Projektligjit.
“Prandaj ju ftoj për përkrahje, ju ftojmë që të bashkëngjiteni organizatorëve të protestës, dhe njëzëri të kërkojmë të drejtën tonë për të mbrojtur luftën e lavdishme të UÇK-së”, tha ajo.
Në fund, Musliu e përmbylli mesazhin e saj me thirrjen: “Rrnoftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. /Lajmi.net/