Kurti: Jemi Qeveri fuqiplotë, po punojmë për të mirën e qytetarëve – urojmë të mos kemi sërish zgjedhje
Kryeministri Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë, ka deklaruar se institucionet po punojnë me intensitet të shtuar pas një periudhe të gjatë të kontestimeve gjyqësore dhe procedurave për konstituimin e institucioneve. Kurti bëri të ditur se në mbledhjen e sotme janë trajtuar 41 pika, ndërsa në mbledhjen e së premtes ishin 26 pika. “Kemi pasur…
Lajme
Kryeministri Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë, ka deklaruar se institucionet po punojnë me intensitet të shtuar pas një periudhe të gjatë të kontestimeve gjyqësore dhe procedurave për konstituimin e institucioneve.
Kurti bëri të ditur se në mbledhjen e sotme janë trajtuar 41 pika, ndërsa në mbledhjen e së premtes ishin 26 pika.
“Kemi pasur 41 pika dhe kjo mbledhje vjen pas mbledhjes së të premtes ku i kemi pasur 26 pika. Ministritë dhe institucionet në përgjithësi janë duke punuar me intensitet të shtuar pas një periudhe të gjatë të kontestimeve nëpër gjykata dhe të procedurave të ndryshme të konstituimit të institucioneve”, tha Kurti.
Ai theksoi se Qeveria është funksionale dhe se institucionet janë të përqendruara në zbatimin e projekteve, përfshirë ato që kanë mbetur përgjysmë, por edhe projekte të reja.
“Jemi Qeveri fuqiplotë dhe me krejt çka dimë e mundemi, po punojmë për të mirën e qytetarëve, interesin publik, për zbatimin e projekteve, atyre të mbetura përgjysmë, por edhe të rejave që po i nisim”, u shpreh ai.
Kurti tha se puna e institucioneve po zhvillohet në përputhje me zotimet e dhëna gjatë fushatave zgjedhore, duke theksuar se një pjesë e çështjeve përsëriten në programet qeveritare për shkak të zgjedhjeve të njëpasnjëshme.
“Një mori çështjesh përsëriten nga një program qeveritar në tjetrin, sepse siç e dini, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit të vitit të kaluar, patëm zgjedhje më 28 dhjetor të vitit të kaluar dhe më 7 qershor sivjet”, tha Kurti.
Ai shprehu shpresën që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.
“Urojmë të mos kemi sërish zgjedhje, sepse asisoj, ato do të ishin zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet. Një situatë e pashembullt, ku mbahen zgjedhje edhe më shpesh se tetë herë se sa do të duhej”, deklaroi kryeministri.
Në fund, Kurti falënderoi qytetarët për, siç tha, mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi se institucionet po punojnë për rritje dhe zhvillim ekonomik, progres shtetëror, siguri dhe mbrojtje, si dhe mirëqenie më të madhe për qytetarët.
“Po punojmë për rritje dhe zhvillim ekonomik, për progres shtetëror, për siguri e mbrojtje, për mirëqenie sa më të madhe të qytetarëve pa dallim”, tha Kurti. /Lajmi.net/