Haxhiu për Hamzën: E respektoj si kryetar të PDK-së, por nuk është “bashkëkryetar” në diskutimet për Presidentin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se nuk e sheh të nevojshëm një koalicion qeverisës me këtë parti. E ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haxhiu tha se me PDK-në mund të ketë bashkëpunim për çështje të caktuara, por…

Lajme

28/09/2026 22:36

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se nuk e sheh të nevojshëm një koalicion qeverisës me këtë parti.

E ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haxhiu tha se me PDK-në mund të ketë bashkëpunim për çështje të caktuara, por jo partneritet në qeverisje.

“Për të pasur një qëndrim unifikues me 16 shtatorin, nuk na duhet një koalicion i përbashkët. Na duhen veprime të përbashkëta, unifikim për secilin veprim që kemi përpara, kontribut nga secila palë”, tha Haxhiu.

Ajo tha se ka respekt për kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, por sipas saj, në diskutimet për presidentin ka edhe figura të tjera me ndikim, të cilat, siç u shpreh, kanë më shumë impakt dhe e luajnë rolin e liderit.

Haxhiu tha se nuk e sheh PDK-në si partner në një qeveri të përbashkët.

“Por nuk e shoh që na duhet një koalicion me PDK-në, jo në këtë periudhë. Kjo lidhet me vendimin, por me qëndrimin tonë me PDK-në. Mundemi të bashkëpunojmë në raport me kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, të padrejtë. Mirëpo nuk i shoh si partner në qeverisje. Ky është qëndrimi personal”, u shpreh ajo.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Haxhiu përsëriti qëndrimin se presidenti nuk duhet të jetë pjesë e një partie politike.

“Pra, po rikthehem te qëndrimi: presidenti duhet të jetë president që nuk duhet të jetë në parti politike. Edhe në këtë situatë që jemi, do të ishte më e mira”, deklaroi ajo.

Haxhiu tha se gjatë diskutimeve janë shqyrtuar disa alternativa për kandidatë, duke përmendur figura që kanë kontribuar në shoqëri dhe në institucionet e Kosovës.

“Kemi pasur disa alternativa, për emra që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme në shoqërinë tonë, në institucionet e Republikës së Kosovës. Insistimi që të kemi kandidat nga radhët e tyre është i gabuar”, tha ajo.

Ajo përmendi edhe Glauk Konjufcën, duke thënë se nëse kriter për një kandidat do të ishin votat e marra në zgjedhje, atëherë duhet të merret parasysh edhe rezultati i tij.

“Nëse hyjmë me persona që janë matur në zgjedhje, atëherë Glauk Konjufca ka mbi 200 mijë vota, nuk e di sigurt. Nëse kemi me persona partiakë, atëherë ku e kemi Glauk Konjufcën?”, tha Haxhiu.